Iniciativa për Progres (INPO) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kanë organizuar tryezën me temën “Prokurimi – sinonim i korrupsionit”, raporton EkonomiaOnline.
Aty u bë e ditur se nga monitorimi i 160 aktiviteteve të prokurimit nëpër komunat e vendit del se prokurimi publik vazhdon të jetë i cenueshëm duke u zhvilluar me parregullsi në procedura dhe shkelje të Ligjit për Prokurim Publik.
Sipas këtij raporti të publikuar nga këto dy organizata mosplanifikimi i duhur i vlerave të kontratave publike ka bërë që të janë vonuar procedurat për përfundimin e punëve nga operatorë ekonomik duke u përcjellur edhe me shumë parregulluar në procedura.
Drejtori ekzekutiv i “IKD”, Ehat Miftaraj tha se fatkeqësisht edhe kur gjatë procedurave të prokurimit bëhen shkelje prokuroria respektive ka dështuar të trajtojë këto raste si pasojë e mungesës së kapaciteteve të gjykatave.
“Përmes IKD në ato raste ku kemi gjetur se ka elemente të veprave penale të prokurorëve ne bëjmë monitorimin e të gjitha seancave gjyqësore. Edhe më tutje sistemi prokurorial nuk kanë kapacitet dhe nuk janë të gatshme t’i trajtojnë këto raste me profesionalizëm dhe mungojnë kapacitet sepse s’kemi prokurorë të specializuar”, tha ai.
Ai tha se është koha e fundit që të ndërmerren masa në mënyrë që në raste kur kemi keqpërdorime në aktivitetet e prokurimit të merren masa dhe keqpërdoruesit të marrin dënimin e duhur.
“Mungon lidershpi në prokurorin e shtetit dhe ende nuk janë duke marrë seriozisht raste që kanë të bëjnë në prokurim apo në raste kur kemi ngritje të kallëzimeve penale nga policia”, tha ai.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në “INPO”, gjatë prezantimit të raportit tha se janë monitoruar edhe rastet të cilat po trajtohen nëpër gjykata për keqpërdorime në prokurim.
“Gjetjet tregojnë se ka shkelje flagrante të Ligjit për prokurim Publik. Në përgjithësi prokurimi në komunat e vendit është problematik. Mosplanifikimi i duhur vlerave të kontratave ka bërë që të lidhen kontrata që tejkalojnë vlerën e shumës së planifikuar me buxhet ku është rezultuar me vonesa në pagesa duke bërë që operatorët të mos kryejnë punët dhe duke e dëmtuar edhe interesin komunal. Gjithashtu gjetjet tregojnë se zyrtarët e prokurimit aplikojnë kritere diskriminuese karshi operatorëve ekonomikë duke krijuar pabarazi në mes tyre”, tha ajo.
Po ashtu raporti vë në pah se OSHP-ja në një rast është anashkaluar nga një komunë e cila ka pasur rast të hapur dhe pa pritur verdiktin e kësaj gjykate ka nënshkruar kontratë.
“Komuna si Peja, Gjakova, Prishtina në tenderët e monitoruar nuk kanë pasur parregullsi në procedura të prokurimit”, tha ajo.
Osman Vishaj nga komisioni rregullativ i prokurimit publik tha se qasja e prokurimit në sistemin elektronik ka dhënë rezultatet e pritura.
“Në janar këtij viti është formuar grupi punues për monitorimin. Ky dokument kërkon parakushte që rrjedh nga marrëveshja e asociim stabilizimit dhe eliminimi i disa pengesave në praktik. Koncept dokumenti adreson aspekte të rëndësishme siç është prokurimi deklarativ. Kemi filluar zbatimin e shërbimeve të veçanta dhe mbi 20% është rrit numri i ofertave. Është mundësuar qasja dhe ka filluar prokurimi i sistemit elektronik dhe kemi një fat të madh se kemi një mbështetje nga ndërkombëtarët”, tha ai.
Zekë Bardhaj nga Kolegjiumi i prokurimit publik tha se nga askush nuk po monitorohet korrigjimi i kontratave.
“Autoritet kontraktuese kanë vështirësi të caktuara dhe të gjitha autoritet kanë mangësi të stafit. Në Prishtinë ka mangësi të mëdha dhe nuk monitorohet nga askush deri tash korrigjimi i kontratave. Kontratat janë në kundërshtim me vlerën e kontratës dhe vlera e kontratave se sa vlera e planifikuar dhe ka nevojë për shumë punë që të korrigjohen. Prokurimi elektronik ka mundësuar një transparencë efikase”, tha ai.
Sipas raportit “Prokurimi i “përligjur” në komunat e Kosovës”, INPO ka gjetur se në Kosovë nuk ka legjislacion adekuat, i cili rregullon standardet dhe procedurat për kontraktimin e OJQ-ve për ofrimin e shërbimeve publike nga ana e komunave, ministrive, apo agjencive të pavarura. Qeveria deri më tash nuk ka nxjerrë ndonjë akt nënligjor, i cili rregullon këtë fushë.
INPO ka gjetur se disa komuna tanimë kanë lidhur kontrata për shërbime me OJQ në vlera të majme monetare, përmes instrumentit të prokurimit publik. Në kuadër të monitorimit, janë hulumtuar katër (4) aktivitete të prokurimit, të cilat kanë rezultuar me lidhjen e kontratave publike për shërbime me OJQ, të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore. Në asnjërën nga këto aktivitete të prokurimit nuk është shënuar se kontraktimi i shërbimeve është planifikuar të bëhet nga OJQ-të.
INPO shpreh shqetësim në lidhje me kontraktimin e këtyre shërbimeve nga OJQ-ja, e cila nuk ka ofruar dëshmi se i ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore, duke përfshirë licencën për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe dëshmitë e tjera të stafit mjekësorë.