Pushteti i LDK-së në Ferizaj duket se po ikën bashkë me të dhënat e Komunës. Një faqe e Facebookut, ku plasoheshin lajme për ngjarje dhe vendime komunale, me të humbur Muharrem Svarqa, u mbyll edhe ajo.
E, derisa komuna informonte qytetarët nga kjo faqe me emrin “Komuna e Ferizajt”, Televizioni Tema merr vesh se pronar i saj ka qenë një person jashtë Komunës.
Këtë fakt e konfirmoi sot Balton Dërguti, shef i kabinetit të kryetarit në largim. Dërguti thotë se për shkak se web-faqja zyrtare e komunës nuk ka funksionuar tash e një kohë të gjatë, komuna është detyruar që njoftimet t’i bëj përmes kësaj faqe të facebook-ut.
“Për shkak që problemi nuk është rregulluar nga ministria përkatëse të ueb-faqes zyrtare, atëherë komuna është detyruar që të publikoj në një facebook, që po del se ka qenë më shumë private. Tash kam informatë që megjithatë tash zyra e informimit ka hapur një faqe të re të facebook-ut dhe të gjitha njoftimet zyrtare do t’i bëj aty”, tha Dërguti.
Derisa pronarin e faqes që shërbeu për plasimin e informatave gjatë qeverisjes së Muharrem Svarqës, nuk e njeh as shefi i kabinetit të tij Balton Dërguti.
Ndërsa, pronari i kësaj faqeje tha se për mirembajtjen e faqes nuk ka pasur asnjë marrëveshje me shkrim.
“Këtë faqe para katër viteve ja kam dhënë Svarqës në shfrytëzim, nuk ka pasur asnjë marrëveshje me shkrim, kjo faqe është dhënë në mënyrë vullnetare, normal ai mu më ka pagu, sepse unë s’jam as militant i ndonjë partie. Ai ma ka marrë sepse kam pas like shumë, e tani ka pas interesim tepër të madh”, tha pronari i faqes.
Pronari i faqes tregoi po ashtu se mbyllja e saj ka ndodhur për shkak se zyrtarët e PDK-së ia kanë kërkuar një gjë të tillë.
“Mu më ka shkru Luan Jahiri në fanpage dhe më ka thënë më nuk kena nevojë për atë faqe, sepse më duket mos e kishin çelë një tjetër. Thjesht këtë timen s’po ma dojnë sepse edhe këtyre jau kisha dhanë”, tha pronari i kësaj faqe.
Gjersa komuna t’i bëj liket në faqen tjetër që po e përdor këto ditë, qytetarët e kësaj komune në njëfarë forme janë në terr informativ. Ky fakt po vlerësohet si diçka shumë regresive nga opozitarët. Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se në mungesë të funksionimit të faqeve zyrtare, komuna po tregon zero transparencë për qytetarët.
“Unë mendoj që institucioni i komunës është përgjegjës dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejoj që të dhënat e komunës dhe njoftimet e saj t’i menaxhoj një person privat dhe për një moment t’i shlyej te gjitha ato që kanë qenë të publikuara. Gjithë kjo periudhë sa nuk ka funksionuar ueb-faqja e komunës komuna është shërbyer me këtë faqe të facebook-ut dhe kjo tani mbyllet, ndërsa me të shlyhet tërë historiku dhe puna që ka publikuar qeveria lokale vitet e fundit”, tha Haliti.
Nga hulumtimi në internet, del se faqja e facebook-ut që komuna e Ferizajt po e përdor dy ditët e fundit ka qenë në përdorim edhe gjatë vitit 2014, për të kaluar më pas tek ajo e një personi fizik e cila kishte më shumë like.