Konfiskohen 80 kg marihuanë, pesë të arrestuar

Prishtinë | 12 Mar 2017 | 16:12 | Nga Kaltrina Zymberi

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar një sasi prej rreth 80 kilogramë substanca narkotike, të llojit marihuanë, në rajonin e Gjakovës dhe të Prishtinës.

Në lidhje me këtë janë arrestuar pesë persona, tre shtetas të Serbisë dhe dy të Kosovës, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Personat e dyshuar, tanimë të arrestuar, janë: U.Gj. (1971); M.B. (1989), të dy shtetas kosovarë; D.M. (1982); J.V. (1973) dhe R.Zh. (1980), të tre shtetas të Serbisë.

Bahri Shala, nga Drejtoria kundër Trafikimit me narkotikë, tha se pas një punë në terren, kanë arritur të arrestojnë pesë persona të dyshuar dhe me këtë rast kanë gjetur 32 kg e parë; më pas kanë gjetur dhe pjesën tjetër, raporton Ekonomia Online.

“Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë me njësitet e saj policore në Prishtinë dhe Gjakovë, të asistuara edhe nga njësitet tjera policore, pas një pune operative-hetimore në terren, ka arritur të sigurojë informacione të sigurta, se disa të dyshuar janë të përfshirë në veprën penale ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve’”, tha Shala.

Me urdhër të prokurorit kompetent është realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar. Atyre fillimisht u janë gjetur në posedim 32 kg marihuanë. “Pas kontrollimit të lokacioneve, prona të personave të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e substance narkotike, e cila në total arrin peshën prej 79 kg e 863 gramë”, ka shpjeguar majori Shala.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe dëshmi të tjera:

  • Dy vetura, njëra me targa RKS dhe tjetra me targa të Serbisë
  • Një armë gjahu e llojit HUGLU 104 A me nr, serik 01S3097
  • Një armë PUSHKE AJRORE krai355 s 5.5 MM
  • Një revole volter 7.62 mm, me dy karikator
  • Një karikator i AK47
  • 15 fishekë të kalibrit 7.62 mm
  • 10 fishekë dhe dy gëzhoja të kalibrit 12 mm
  • 4 500 euro para të gatshme,
  • 7 920 dinarë para të gatshme
  • Telefona celularë dhe dokumentacione (pasaporta)
  • Çanta për bartje të narkotikeve etj.

Me vendim të prokurorit kompetent të njëjtëve u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Gjatë kësaj konference u vlerësua se kontrabandimi me narkotikë është në rritje, megjithëse deri më tani Kosova ishte vetëm vend tranzit për kontrabandim për në Evropën Perëndimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme