Të enjten në Prishtinë nga njësitet policore të stacionit të Obiliqit rreth orës 01:00 janë arrestuar dy persona të dyshuar, të cilëve u janë konfiskuar një armë zjarri dhe një thikë.
Pas marrjes së informatës për të shtëna me armë nga një veturë e cila ishte në lëvizje, në fshatin Hamidi të Obiliqit, policia ka ndërmarrë një aksion dhe në një distancë jo të largët nga vendi i ngjarjes, ka arritur që ta ndalojë automjetin e dyshuar dhe të arrestojë dy persona të dyshuar me inicialet E.R. (19-vjeçar, shtetas i Kosovës), dhe B.SH. (18-vjeçar, shtetas i Kosovës), njofton Policia e Kosovës.
Atyre iu është gjetur dhe konfiskuar një armë e tipit Ecol Special 99, një thikë, një karikator si dy gëzhoja në vendngjarje.
Ndaj personave të dyshuar, të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, janë iniciuar rastet shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës.