Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka raportuar para Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Keith Self, kongresist amerikan, ka shtruar një pyetje në drejtim të Escobarit, që kishte të bënte me qasjen e ShBA-së ndaj Kosovës.
“Dëgjoj një lloj jonkonsistence, keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment. Kështu thatë. Por, që tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim që Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës, nuk ka kurrfarë dyshimi në këtë. Në diçka nuk jam shumë i sigurt, më duket se Serbia i ka vonuar pak zgjedhjet e veta për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Kjo nuk është Ukraina, por është në kufi të NATO-s. Serbia dhe Rusia janë të rrethuara nga shtetet e NATO-s dhe kjo mund të jetë më shumë rrezik në kuptimin e përhapjes së dhunës. Nuk jam fort i qartë pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë sot sepse kanë importuar armatim të rëndë nga Rusia që nga viti 2017, që është dashur të çonte drejt sanksioneve në kuptimin e luftimeve të kundërshtarëve të Amerikës me anë të sanksioneve në 2017. Po ju pyes juve pse jo?” – u shpreh Self.
Ndërsa Escobar tha se zyrja e tij nuk merret me sanksionet.
“Nuk është zyra ime që merret me sanksionet. Sanksionet nuk kanë të bëjnë vetëm me blerjen e armatimit rus, po të ishte kështu do të kishim probleme edhe me Turqinë dhe të tjerët. Është niveli i blerjeve dhe kapaciteteve teknologjike të këtyre blerjeve. Për këtë kemi vazhduar komunikimin me Serbinë.” – u përgjigj Escobar.