Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se kryeministri Hoti, ka bërë krim të madh, kur në bisedimet më Serbinë ka vendosur në tavolinë resurset shtetërore siç është Ujmani, raporton Ekonomia Online.
Ai në një konferencë për medie, ka thënë se resurset shtetërore janë të pacenueshme dhe të mbrojtura edhe me Kushtetutën e Kosovës.
“Ujmani e përmban 70 përqind të ujit tonë dhe për herë të parë një kryeministër i papërgjegjshëm siç është Hoti, u pajtua që Ujmani si resurs i Kosovës të vihet në tryezën e dialogut”.
“Resurset shtetërore edhe sipas Kushtetutës janë të pacenueshme dhe ai që cenon ato bënë një krim të madh sikur që bëri Hoti. Kryeministri vendosi ta bëjë Kosovën pjesë të zonës së lirë ekonomikë të Serbisë, plan të cilën Vuçiqi e kishte paraqitur në vitin 2017”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij një lëshim tjetër i madh i Qeverisë së Kosovës në këtë marrëveshje është që Kosova hoqi dorë nga përpjekjet e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai ka thënë anëtarësimi i Kosovës në këto organizata parashihet edhe më Kushtetutë.
“Nënshkrimi i Hotit në këtë marrëveshje është shkelje e Kushtetutës”.
Konjufca ka thënë se tash është koha që PDK të përkrah mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti.
“Këtë marrëveshje e përkrahin vetëm gjysma e LDK-së dhe Nismës, dhe në këtë moment është koha e duhur që ta kthejmë në qendër të vëmendjes mocionin dhe ta rrëzojmë këtë Qeveri”, tha Konjufca.
Albulena Haxhiu tha se disa pika nga marrëveshja e nënshkruar në Washington ditë më parë nuk janë në përputhje me Kushtetutën.
Sipas saj janë pika shtatë dhe 15 në të cilat kontestohet sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.
“Në pikën shtatë përmendet studimi i fizibilitetin për ndarjen e Liqenit të Ujmanit, i cili ndodhet 80 përqind në territorin e Kosovës. Integriteti dhe sovraniteti janë elemente themelore të ekzistimit të shetit të Kosovës”.
“Në pikën 15 theksohet edhe moratoriumi njëvjeçar ku Kosova heq dorë nga vetvetja nga pavarësia dhe me këtë pikë synohet suspendimi dhe pezullimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ky moratorium do të krijojë pasoja të rënda për Kosovën”.
Haxhiu në konferencë ka thënë se nuk bëhet fjalë për nënshkrim të marrëveshjes ndërkombëtare por vetëm për zotime të nënshkruara nga Avdullah Hoti të cilin ajo e quan kryeministër me mandat të kontestuar.