Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Presidentin e Republikës së Maltës, George Vella, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në shtetin tonë me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.
Në takim, përveç çështjeve tjera, u bisedua për raportet dypalëshe dhe proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe u shkëmbyen mendime për zhvillimet politike dhe sfidat e sigurisë në rajon e më gjerë.
Kryetari Konjufca vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona janë shumë të mira dhe shprehu gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë.
Malta, tha Kryetari Konjufca, është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne jemi përherë mirënjohës për njohjen, por edhe për përkrahjen e palëkundur drejt të ardhmes në BE dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.
Duke kërkuar nga shteti mik i Maltës vazhdimin e mbështetjes për agjendën evropiane të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, Kryetari Konjufca nënvizoi se qytetarët tanë janë të vetmit në Evropë të cilët ende nuk mund ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë.
Pasi e falënderoi Kryetarin Konjufca për mikpritjen, Presidenti George Vella shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe fuqizimin e partneritetit dypalësh, si dhe ritheksoi përkushtimin për të qëndruar përkrah Republikës së Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian.