Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kërkuar që të shtyhet për vitin e ardhshëm aplikimi i Kosovës në organizatën në Interpol, raporton Ekonomia Online.
Ngase sipas Konjufcës gjendja është më e rëndë sesa para dy vitesh më parë. Sipas tij, shtyrja e aplikimit është edhe këshillë e partnerëve ndërkombëtar.
“Është një çështje e ngutshme, është lënda aktive për aplikim i Kosovës në Interpol që do të aktivizohet shumë shpejtë. Sipas analizave të brendshme të ministrisë që përfaqësoj, gjendja nuk duhet shumë optimiste krahasuar me vitet e kaluara, me thënë të drejtën Kosova nuk ka ndryshuar pozicion sa i përket mbështetjes, nëse krahasohen votimet me dy vitet e kaluara, kështu që ne do të marrim një vendim, sipas analizave sipas të gjitha parametrave Kosova do të kishte të njëjtin rezultat po të aplikonte edhe këtë vit”, tha ai.
Ai ka thënë se propozimi është mirë të bëhet vitin e ardhshëm.
“Propozohet që të jetë një takim në vitin e ardhshëm, që është shumë më i përshtatshëm për ne për vendin ku mbahet që është në Turqi ku do të mund të ndodhte një punë më e madhe sepse e kemi trashëguar një gjendje të rëndë dhe neve na ka ndodhë dështimi i votimit për anëtarësim të Kosovës në Interpol. Më duket se me 1 ose 2 mars vetëm kjo çështje vendoset, ne duhet t’i lajmërojmë institucionet përkatëse që Kosova nuk do të aplikojë këtë vit, kjo sipas burimeve është këshilla e miqve tanë. Propozoj që të shqyrtohet kjo dhe të dalim me një vendim, meqenëse është e rëndësishme të mos dështojmë, sepse dështimet nuk po janë të mira për Republikën”, ka thënë ai.
Ai shtoi se Asambleja e Përgjithshme mbahet në Uruguai dhe gjasat janë shumë të vogla.
Kurse kryeministri, Albin Kurti tha se kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dilet me një vendim.