Shfuqizoi vendimin për 14 konsuj dhe propozoi tërheqjen nga misioni të 7 ambasadorëve sa ishte fuqiplotë në pozitën e Ministrit të Jashtëm.
Këtë praktikë Glauk Konjufca po e vazhdon edhe si ministër në detyrë.
Ai rishtas ka marrë vendim që t’i zhveshë nga detyra edhe rreth 35 diplomatë të tjerë kosovarë.
Kreshnik Ahmeti, duke theksuar se kjo tash po bëhet në kuadër të procesit të rotacionit që parashihet me ligjet përkatëse, raporton klankosova.
“Ministri Konjufca ka marrë vendim për kthimin apo lirimin e rreth 35 diplomatëve. Siç parashihet edhe me ligj, diplomatët e karrierës kthehen në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ta vazhduar angazhimin e tyre, ndërsa diplomatët politikë lirohen nga detyra”, është shprehur Ahmeti.
“Arsyeja e kthimit të tyre është përfundimi i mandatit”.
Ahmeti ka deklaruar se pjesa më e madhe e këtyre diplomatëve kanë përfaqësuar Kosovën si duhet në kohën e ushtrimit të funksionit të tyre.
“Kthimi i diplomatëve nuk ka të bëjë me performancën e tyre. Më duhet të them se pjesa dërrmuese e diplomatëve kanë pasur performancë të mirë përgjatë mandatit të tyre në misionet ku kanë qenë. Kthimi i tyre ka të bëjë vetëm me skadimin e mandatit dhe respektimin e bazës ligjore”.
Deri tash është kuptuar se nga diplomatët që lirohen nga detyra janë: Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, Rron Kryeziu – konsull në SHBA (i biri i Ministres në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi) dhe Fatmire Musliu, pjesë e shërbimit diplomatik në Gjermani(motra e deputetes së Kuvendit të Kosovës nga PDK, Ganimete Musliu).
Këshilltari i Konjufcës, ndër të 35-ët ka me grada të ndryshme diplomatike për të cilët është propozuar lirimi nga detyra, nuk ka përmendur emrat e përveçëm të asnjërit prej tyre.
“Me keqardhje më duhet të them që nuk mund të jap informacion më të detajuar në lidhje me diplomatët tanë. Praktikat e mira nuk rekomandojnë një gjë të tillë”.
Ministria e Jashtme e Kosovës për të zëvendësuar këta 35 përfaqësues të Republikës së Kosovës në botën e jashtme ka hapur konkursin ditë më parë.
“Paralelisht me kthimin e diplomatëve ne kemi hapur edhe konkursin e brendshëm për t’i zgjedhur diplomatët e tjerë të cilët do të shkojnë në këto pozicione të misioneve të jashtme. Më duhet të theksoj se një konkurs i tillë po realizohet për herë të parë në historinë e MPJ-së”.
“Pra, tash e tutje nuk do të ketë vendime arbitrare në tavolinën e Ministrit se cili diplomat në cilin mision do të shkojë. Por, do të ketë procedura të rregullta profesionale, siç ndodhë edhe në vendet e përparuara”.
Në fillim marsin e këtij viti Konjufca i kishte propozuar Presidentit Hashim Thaçi që të tërheq nga misioni diplomatik, Ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku si dhe gjashtë diplomatë të tjerë: Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.
Paraprakisht Konjufca kishte tërhequr vendimin për emërimin e 14 konsujve, nënshkruar nga paraardhësi i tij në krye të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli.