Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ndan mendim të njëjtë me opozitën për ta dërguar vendin në zgjedhje, veçse kërkon dakordim me partitë politike për ta gjetur kohën e përshtatshme, raporton Ekonomia Online.
Konjufca, i cili foli për disa medie, pas mbledhjes së Kryesisë, tha se kërkesë specifike nga partitë politike nuk ka pasur. Shtoi se për kohën për ta dërguar vendin në zgjedhje, duhet dakordim me partitë politike.
“Sot e patëm mbledhjen e Kryesisë, e përfunduam mbledhjen, nuk pashë asgjë nga këto kërkesa. Por nuk e përjashtoj që në të ardhmen ndonjë grup parlamentar mund të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve”.
“Ju e dini që unë moti jam për zgjedhje. Kam thënë që opsioni më i mirë është të shkohet në zgjedhje; të gjithë po thonë se është sivjet por ky vit i ka edhe disa muaj. Nuk mund të ju them saktë se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje, mirëpo e keni dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se do të ishte në mbështetje të një iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje. Vetëm duhet të ulemi me partitë politike dhe ta specifikojmë se cila është koha më e përshtatshme a është vera apo vjeshta”, tha Konjufca.