Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe këshilltarët, ka pritur sot në një takim shumë miqësor presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutoi për aktualitetin politik, pandeminë, situatën energjetike, ekonominë dhe zhvillimet rajonale.
Pasi i vlerësoi të shkëlqyera raportet bilaterale, kryetari Glauk Konjufca falënderoi presidentin Milanović për mbështetjen koherente të shtetit kroat ndaj Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohje për kontributin e pjesëtarëve të ushtrisë kroate në kuadër të KFOR-it. Ai po ashtu tha se orientim parësor i Republikës së Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e organizata të tjera ndërkombëtare.
Edhe me këtë rast, kreu i Kuvendit shprehu përkushtimin për forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të interesit të dyanshëm, si dhe domosdonë e koordinimit të veprimeve në kuadër të zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović konfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale dhe gjithashtu edhe mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën, me theks të veçantë në procesin e njohjes nga 5 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur, liberalizimin e vizave dhe integrimin euro-atlantik.