Konjufca priti në takim drejtoren e re të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, i uron mandat të frytshëm

Prishtinë | 18 Kor 2024 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, të cilën e falënderoi për vizitën dhe e uroi për detyrën e re, duke i dëshiruar një mandat sa më të frytshëm dhe duke i shprehur gatishmërinë e plotë për të ruajtur dhe zhvilluar edhe më tej bashkëpunimin institucional.

Po ashtu, nga Kuvendi i Kosovës shtojnë se Konjufca vuri në dukje rolin e madh që UNICEF-i ka luajtur ndër vite në Republikën e Kosovës, në synimin për të mbrojtur të drejtat e të rinjve dhe fëmijëve, si dhe u shpreh i bindur se së bashku me institucionet e vendit tonë, duke përfshirë edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të vijohet të punohet me angazhim të plotë në drejtim të mbrojtjes dhe zhvillimit të potencialit të kësaj kategorie jashtë mase të rëndësishme.

E drejtorja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, e falënderoi Konjufcën për pritjen dhe gatishmërinë e treguar për të arritur sa më shumë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave dhe zhvillimit të kapaciteteve që ndërlidhen me të rinjtë dhe fëmijët në Republikën e Kosovës.

Ajo u shpreh e bindur se përmes programeve të UNICEF-it dhe bashkëpunimit me institucionet e vendit tonë, do të ketë gjithnjë e më shumë përparim dhe arritje të këtyre qëllimeve që përbëjnë interes të përbashkët.

Të ngjashme