Glauk Konjufca, parashtruesi i interpelancës në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë, theksoi se gjashtë vjet pas privatizimit të rrjetit të shpërndarjes, orët e ndërprerjeve të energjisë elektrike janë rritur.
“Gjashtë vite pas privatizimit të rrjetit të shpërndarjes, orët e ndërprerjes së energjisë elektike në të gjithë territorin e vendit nuk janë ulur, përkundrazi në periudhën e pikut orët e ndërprerjeve janë rritur. Ulja e humbjeve teknike dhe komerciale së me thënë ma saktë e vjedhjeve që ndodhin, vjedhjet e energjisë elektrike e të mospagesave nuk kanë asnjë përmirësim, përkundrazi raportimet e ZRrE-së tregojnë për raporte në favor të periudhës kur kompania ishte në pronësi publike”, tha Konjufca.
Deputeti Konjufca tha se që nga privatizimi i KEDS-it, çmimi i rrymës është rritur katër herë, raporton Ekonomia Online.
“Në këto 6 vite prej privatizimit të KEDS-it, çmimi i energjisë elektrike sipas kërkesës konserciumit Limak&Çalik është rritur katër herë deri tash. Pra prej vitit 2012 kjo me arsyetim gënjeshtër që mbulimi i kostos dhe defektet në gjenerim të energjisë janë të nevojshme për me përballu koston”.
Për daljen nga kjo gjendje, deputeti Glauk Konjufca paraqiti këto propozime:
Rindërtimi i Kosovës A; planifikimi i Kosovës B; ndërprerja e kontratës me Contour Global; Vendosja e një mbikëqyrjeje strikte të KEDS-it dhe KESCO-s për rritjen e shpërndarjes; rishikim në themel të rasteve të secilës komunë të vjedhjes dhe mospagimit të rrymës.
Kryeministri Haradinaj e pranoi se ka probleme me energji në Kosovë.
“Ka disa probleme me energji në Kosovë dhe janë serioze. Marrëdhëniet kontraktuale me KEDS-in janë të trashëguara, i ka gjetë edhe qeveria e kaluar edhe unë. Janë 300 milionë humbje të sektorit privat për mungesë të energjisë. Çmimi i energjisë sot nuk është më i madh sesa i ndonjë energjie tjetër. Nuk jam kundër që t’i gjejmë të gjitha mundësitë që të rregullohet gjendja. Unë i zbatoj me respekt”, tha ai.
Ndërkaq, deputetja Hykmete Bajrami kërkoi përgjegjësi prej institucioneve përgjegjëse.
“ Na po kërkojmë përgjegjësi prej institucioneve përgjegjëse, kemi qenë në opozitë kur është privatizuar rrjeti i distribuimit të energjisë”.