Glauk Konjufca si mandatar i dytë i Vetëvendosjes për kryeministër, ka thënë se nuk ka zhvilluar takime me partitë politike, por ka përsëritur atë që ka thënë në ditën kur edhe u mandatua nga Albin Kurti, atë për një qeveri pa koalicione partiake.
“Ju kam bërë thirrje, kështu nuk kemi realizu takime të drejtpërdrejta partiake. Nuk ka qenë ai koncepti, koncepti ka qenë siç e kam treguar edhe para gazetarëve kur dola para selisë së Vetëvendosjes. Ju thash që do të jetë një qeveri pa koalicione partiake, me ç’rast ne ulemi dhe i ndajmë ministritë, sepse mendoj që nuk do të jetë një qeveri që zgjat deri në 2029”, tha Konjufca në një lidhje direkte në Klan Kosova.
KONJUFCA: VIZITA NUK KA TË BËJË ME THIRRJE TË VEÇANTA, ASKUND NUK KA NDALESË LIGJORE PËR TË PIRË NJË KAFE
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se vizitat e tij së fundmi në Gjakovë nuk ka të bëjë me fushatë zgjedhore e as për të bërë thirrje për ndonjë, numër apo kandidat të caktuar.
Konjufca ka thënë se askund në ligj nuk është e ndalur të pihet një kafe në Republikat e Kosovës dhe se kjo është shumë normale.
“Kjo nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore; është një vizitë për t’u ndarë edhe me strukturat tona, me të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në këtë proces zgjedhor, në një atmosferë shumë të mirë. Kjo nuk ka qenë vizitë për të bërë thirrje të veçanta, për numra të veçantë apo për kandidatë të caktuar – në asnjë mënyrë. Këtë nuk mund ta gjeni askund. Është plotësisht normale, askund nuk ka ndalesë ligjore për të pirë një kafe nëpër komunat e Republikës së Kosovës, as për të drekuar, siç drekova sot në Gjakovë. Pra, e shoh këtë si diçka krejt normale dhe jo në kuadër të fushatës zgjedhore”, tha Konjufca në një lidhje direkte në Klan Kosova.
Konjufca ka thënë se mbi të gjitha e rëndësishme është të fitojë Kosova, dhe se fitoren e kandidatëve e vendosin qytetarët.
“Më e rëndësishme sot është të fitojë Kosova. E kam thënë edhe më herët: Kosova fiton atëherë kur një cikël zgjedhor përmbyllet pa asnjë incident dhe kur mbyllet me standardet më të larta evropiane e demokratike. Më duket që deri në këtë kohë gjithçka ka shkuar mirë – ashtu siç e dëshirojmë ne, si Kosovë. Prandaj, për emra të përveçëm, se si do të votojnë qytetarët, ai është verdikti më themelor i qytetarit të Republikës së Kosovës. Populli është ai që vendos se kush do të fitojë. Natyrisht, ne jemi njëri prej subjekteve politike; kemi garuar me kandidatët tanë, por nuk e përcaktojmë vetë rezultatin sipas vullnetit tonë – do të fitojë ai që në sytë dhe në shpirtin e qytetarëve ka zënë vend. Pres që diku rreth orës 21:00 të mësohen të gjithë ata kandidatë që, sipas qytetarëve, kanë fituar”, theksoi Konjufca.