Konjufca thirrje qytetarëve për të votuar: Uroj që të fitojnë më të mirët, ashtu siç janë në sytë e qytetarëve

Prishtinë | 09 Nën 2025 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca  pasi ushtroi të drejtën për të votuar në raundin e dytë në zgjedhjet lokale, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta ushtrojnë këtë të drejtë e kështu të jenë bashkëpunëtorë në ndërtim të demokracisë, raporton Ekonomia Online.

Ai ka uruar që të fitojë më i mirë.

“Ne votuam sot dhe kryem këtë obligim qytetar. Më vjen mirë që sot është edhe moti i mirë, dhe i ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë për të gjitha komunat. Të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të jenë bashkëpunëtorë në ndërtimin e demokracisë, sepse, siç e dimë, demokracia është e pamundur pa një pjesëmarrje të madhe qytetarësh. Deri tash, sa e kam përcjellë këtë proces zgjedhor, gjithçka ka shkuar mirë, dhe uroj që kështu të përmbyllet ky proces zgjedhor. Uroj të mos kemi asnjë problem, asnjë incident gjatë këtyre zgjedhjeve, sepse kjo nuk i shkon për shtat Kosovës. Kosova gjithmonë ka ecur duke ngritur standardet e demokracisë dhe qytetarisë, dhe ky do të ishte një rezultat shumë i mirë. Unë uroj që të fitojnë më të mirët, ashtu siç janë në sytë e qytetarëve dhe ashtu siç ata i shohin. I lus qytetarët e Kosovës të dalin sa më masivisht dhe ta shfrytëzojnë këtë të drejtë qytetare”, deklaroi Konjufca.

Të ngjashme