Konjufca thotë se Prokuroria në Hagë po vendos “re të zeza mbi shtetin tonë”

Prishtinë | 14 Shk 2026 | 22:24 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka ashpërsuar tonet ndaj Prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke paralajmëruar se narrativa që po ndërtohet rreth UÇK-së synon “me vendos re të zeza mbi shtetësinë dhe mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës”.

Në një intervistë për RTK, Konjufca foli se si përballë akuzave ndaj krerëve të UÇK-së, skena politike në Kosovë duhet të jetë e unifikuar dhe pa ndarje partiake.

“Motoja e atij është shumë qëlluar. Është jo politikë, por drejtësi, duhet për ne, për Kosovën, por të gjithë ata të cilët po përballen me këtë padrejtësi në Dhomat e Specializuara… kur përballemi me akuza ndaj UÇK-së dhe kur është puna për UÇK-në, nuk ka parti politike”, tha ai.

Konjufca konfirmoi se do të jetë sërish në Hagë për fazën përmbyllëse të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Ai rikujtoi qëndrimin zyrtar të Prishtinës për këtë proces.

“Ne si shtet mendojmë që kjo ishte një aktakuzë skandaloze sa i përket krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi qëndrimin e qartë që UÇK-ja është në bazën e lirisë edhe pavarësisë së shtetit tonë. Ajo është vlera më sublime që ka arrit me kriju populli i Kosovës”.

Shefi i diplomacisë kosovare e përshkroi UÇK-në si produkt autentik të rezistencës popullore.

“UÇK-ja ka dalë prej gjirit popullor. Nuk është e krijuar nga larg. Nuk është e krijume me, me dekrete politike. Është vetë zgjimi popullor për me mbrojt vendin tonë nga gjenocidi serb i sotëm”, tha ai.

Sipas Konjufcës, çdo interpretim që ia atribuon UÇK-së synime si spastrimi i serbëve apo eliminimi i figurave të tjera politike është i rrezikshëm: “Kush thotë që qëllimi i UÇK-së ishte spastrimi i serbëve apo ishte eliminimi i figurave tjera politike, apo ishte targetimi i pakicave kombëtare apo i gjithë atyre që nuk pajtohen me UÇK-në. Kjo është një huqje shumë e rrezikshme, e cila qëllimin e ka fort të keq, dhe ky qëllim është me vendos re të zeza mbi shtetësinë dhe mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës”.

Të ngjashme