Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se vizitat e tij së fundmi në Gjakovë nuk ka të bëjë me fushatë zgjedhore e as për të bërë thirrje për ndonjë, numër apo kandidat të caktuar.
Konjufca ka thënë se askund në ligj nuk është e ndalur të pihet një kafe në Republikat e Kosovës dhe se kjo është shumë normale.
“Kjo nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore; është një vizitë për t’u ndarë edhe me strukturat tona, me të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në këtë proces zgjedhor, në një atmosferë shumë të mirë. Kjo nuk ka qenë vizitë për të bërë thirrje të veçanta, për numra të veçantë apo për kandidatë të caktuar – në asnjë mënyrë. Këtë nuk mund ta gjeni askund. Është plotësisht normale, askund nuk ka ndalesë ligjore për të pirë një kafe nëpër komunat e Republikës së Kosovës, as për të drekuar, siç drekova sot në Gjakovë. Pra, e shoh këtë si diçka krejt normale dhe jo në kuadër të fushatës zgjedhore”, tha Konjufca në një lidhje direkte në Klan Kosova.
Konjufca ka thënë se mbi të gjitha e rëndësishme është të fitojë Kosova, dhe se fitoren e kandidatëve e vendosin qytetarët.
“Më e rëndësishme sot është të fitojë Kosova. E kam thënë edhe më herët: Kosova fiton atëherë kur një cikël zgjedhor përmbyllet pa asnjë incident dhe kur mbyllet me standardet më të larta evropiane e demokratike. Më duket që deri në këtë kohë gjithçka ka shkuar mirë – ashtu siç e dëshirojmë ne, si Kosovë. Prandaj, për emra të përveçëm, se si do të votojnë qytetarët, ai është verdikti më themelor i qytetarit të Republikës së Kosovës. Populli është ai që vendos se kush do të fitojë. Natyrisht, ne jemi njëri prej subjekteve politike; kemi garuar me kandidatët tanë, por nuk e përcaktojmë vetë rezultatin sipas vullnetit tonë – do të fitojë ai që në sytë dhe në shpirtin e qytetarëve ka zënë vend. Pres që diku rreth orës 21:00 të mësohen të gjithë ata kandidatë që, sipas qytetarëve, kanë fituar”, theksoi Konjufca.