Në ditën e parë të korrikut, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, hapi një konkurs për pranimin e 32 zyrtarëve të misionit diplomatik.
Kur afati për aplikim ende nuk ka perfunduar, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se ky konkurs është i jashtëligjshëm, dhe se i njëjti duhet të anulohet.
Drejtoresha e kësaj organizate, Arbëresha Loxha ka thënë se rekrutimi për këto pozita nuk është përgjegjësi e MPJD-së.
“Në qoftë se edhe pas procesit të ristrukturimit nuk arrihet të plotësohen këto pozita, atëherë procesi i rekrutimit duhet të bëhet përkitazi me legjislacionin për zyrtarë publikë. Që do të thotë se përgjegjës për rekrutimin pasiqë procesi i rekrutimit është i centralizuar përgjegjës është Ministria e Punëvë të Brendshme dhe Administratës Publike, më konkretisht Departamenti për Menaxhimin e zyrtarëve publikë”, ka thënë Loxha.
Ndërsa, shkelje në këtë konkurs po pretendon se ka edhe anëtarja e komisionit parlamentar për punë të jashtme, Time Kadrijaj.
Edhe ajo thotë se ky konkurs duhet të bëhet nga MPB-ja.
“Në vazhdimësi do te thojm se para se me ardh kjo qeveri se i njëjti konkurs, me kushtet dhe kriteret e njëjta është i jashtëligjshëm, dhe ata po vazhdojnë me një ligj të jashtëligjshëm, përderisa tash është ndryshuar ligji për administratën publike dhe te drejtë për rekrutim kanë vetëm Ministri e Punëve të Brendshëm dhe jo Ministria e Punëve te Jashtme”, ka thënë Kadrijaj.
Lidhur me bazën ligjore dhe pretendimet e shoqërisë civile për këtë konkurs, RTV Dukagjini ka pyetur Ministrinë e Jashtme, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigjje.
E, nëse ky konkurs finalizohet në këtë format, Arbëresha Loxha thotë se do të shkelej ligji.
“Nëse nuk bëhet rekrutimi në përputhshmëri me ligjin për zyrtarë publikë, atëherë është i jashtëligjshëm, dhe tani siç është shpallur, aktualisht sic është shpallur. i njëjti nuk është bërë sipas procedurës dhe rrjedhimisht konsiderohet i jashtëligjshëm”, ka vazhduar Loxha.
Procedura për plotësimin e këtyre pozitave me zyrtarë në ambasada ka nisur pas disa shkarkimeve nga ministrja Gërvalla.