Konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës mund të shpallet sapo Rektorati të marrë vendimin e Ministrisë së Arsimit.
Rektori Marjan Dema tha për Radio Kosovën se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për shpalljen e konkursit. Për nesër është thirr edhe mbledhja e Senatit, ku do të përcaktohen kriteret e regjistrimit.
Konkurset për fakultetet e Universitetit të Prishtinës mund të shpallen që nesër në rast se ndërkohë arrin vendimi i Ministrisë së Arsimit, për caktimin e kuotave të studentëve të rinj. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha për Radio Kosovën se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces.
“Ne çdo gjë e kemi gati, edhe kriteret do të jenë pothuajse të njëjtë…..andaj në qoftë se do ta marrim vendimin sot ose nesër ka mundësi që nesër menjëherë ta shpallim konkursin, që mos t’ua humbim asnjë ditë atyre studentëve të ardhshëm që të bëhen pjesë e UP-së”, tha ai.
Megjithatë, Dema u shpreh se deri në këto momente universiteti që ai e drejton nuk e ka pranuar vendimin e nxjerrë nga ministria për caktimin e kuotave.
“Fatkeqësisht deri në këtë moment që po flasim, ne ende nuk e kemi marrë vendimin nga ministri i cili duhet të vendosë për numrin e studentëve që duhet të pranojë UP në nivelin bachelor për vitin 2017-18. Ne i kemi kryer siç e thashë të gjitha përgatitjet, nesër e kemi mbledhjen të cilën e kemi caktuar paraprakisht që t’i aprovojmë kushtet për regjistrim”.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, një ditë më parë e publikoi vendimin për caktimin e kuotave për studentë të rinj në universitetet publike ku tha se është vendosur që të shpallen mbi 15 mijë vende të lira.
Vetëm në Universitetin e Prishtinës do të pranohen mbi shtatë mijë studentë.