Koalicioni PAN është i bindur se formimi i Kuvendit do të ndodhë para datës 8 gusht. Madje ata insistojnë se kjo do të ndodhë në pjesën e parë të afatit ligjor për formimin e legjislativit. Mirëpo, këtë nuk po e besojnë njohësit e çështjeve politike. Ata thonë se nuk presin që formimi të ndodhë në korrik. Sipas tyre, kjo procedurë do të zgjasë e po ashtu edhe krijimi i Qeverisë pasi kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj nuk po arrin t’i mbledhë votat e nevojshme.
Hajdar Beqa, deputet nga koalicioni PAN, ka thënë se formimi i Kuvendit do të bëhet shumë shpejt. “Në bazë të procedurave, formimi duhet të ndodhë në afatin prej 30 ditësh nga dita e certifikimi të rezultateve, por unë mendoj që do të ndodhë para afatit të caktuar. Konsideroj se do të ndodhë në pesëmbëdhjetëditëshin e parë. Ka mjaft kohë për t’u përgatitur. Duhet që sa më shpejt të krijohen institucionet sepse nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Beqa.