Kontesha Sophie e Ueseksit e ka nisur ditën e dytë të vizitës së saj në Kosovë duke i takuar të gjithë krerët fetarë në vend.
Në njoftimin e Ambasadës britanike thuhet se në këtë takim diskutua përpjekjet e përbashkëta për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin dhe për ta luftuar stigmën.
Kontesha e cilësoi inkurajues faktin që udhëheqësit fetarë të Kosovës nënshkruan, në korrik, një deklaratë të përbashkët në mbështetje të të mbijetuarve dhe se ata po e përcjellin këtë deklaratë me veprime për ta luftuar stigmën që lidhet me dhunën seksuale.
“Si rezultat i kësaj pune, Kosova do të jetë në pozitë më të mirë që të jetë nënshkruese e Deklaratës Globale të Humanizmit, që do të lëshohet nga udhëheqësit ndërkombëtarë të fesë dhe besimit në konferencën e ardhshme ndërkombëtare mbi Nismën për parandalimin e dhunës seksuale (PSVI), nikoqire e së cilës do të jetë Britania e Madhe, të titulluar ‘Koha për Drejtësi: Vënia e të mbijetuarve në radhë të parë’”, përfundon deklarata.