Kontigjenti italian në Kosovë mbështet spitalet rajonale të Pejës dhe Gjakovës dhe qendrat mjeksore në Osojan dhe Gorazhdevc me donacion barnash.
Ditëve të fundit, ushtarët e Misionit në Kosovë përmbyllen dorëzimin e një sasie të rëndësishme të barnave të mbledhura dhe të vëna në dispozicion nga Fondacioni Banco Farmaceutico Onlus.
Donacionet u kryen në Spitalet Rajonale të Pejës dhe Gjakovës, dy spitalet më të rëndësishme në zonën ku vepron kontigjenti italian. Edhe dy donacione të tjera u kryen në dy qendra shëndeti të vendosura në zonat e banuara nga pakicat serbe: Osojan dhe Gorazhdevc.
Shpërndarja e ilaçeve u bë në mënyrë proporcionale me përdoruesit e ndryshëm të strukturave të lartpërmendura shëndetësore dhe në përputhje të plotë me parimin e paanshmërisë së asistencës për tërë popullatën e Kosovës.
Koloneli Gianfranco Di Marco, komandant i Grupit Luftarak Shumëkombësh Perëndimor (MNBG-W), në fjalimet e mbajtura gjatë donacioneve, theksoi se iniziativa lindi nga veprimi i përbashkët midis Fondacionit Banco Farmaceutico ONLUS, Komandës Operative interforce (COI) dhe Ordinariatit Ushtarak që çoi në nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi, të ratifikuar në Romë më 10 maj të vitit të kaluar. Projekti ka për qëllim të ofrojë ilaçe pa pagesë për njerëzit që jetojnë në varfëri në zonat e krizës ku Forcat e Armatosura italiane veprojnë çdo ditë për të garantuar sigurinë. Një aktivitet i ngjashëm, për shembull, u krye në muajin mars edhe në Niger.
Marrëveshja parasheh që barnat e vëna në dispozicion nga Fondacioni Banco Farmaceutico – përmes donacionit të 25 kompanive farmaceutike – te transportohen me mjete ushtarakë në zonat ku veprojnë Forcat e Armatosura italiane. Pasi të arrijnë në teatrot operative, barnat dhurohen në kuadër të aktiviteteve specifike të Bashkëpunimit Civilo – Ushtarak (CIMIC), nëpërmjet marrëveshjeve dhe memorandumeve që personeli ushtarak, i dedikuar këtij sektori, ndërmerr nëpërmjet dialogut me autoritetet dhe përfaqësuesit e komuniteteve lokale.
Drejtorët e shëndetësisë të dy spitaleve dhe të dy qendrave mjeksore treguan mirënjohje për përpjekjet e bëra dhe për vëmendjen që KFOR-i dhe kontigjenti italian i kushtojnë gjithmonë shtresave më në nevojë.