Kontingjenti i FSK-së merr pjesë në garën “Cambrian Patrol” në Britani

Prishtinë | 03 Tet 2016 | 10:02 | Nga

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), prej 13 pjesëtarësh të Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH), u nis sot për në Mbretërinë e Bashkuar ku do të marrë pjesë në një gare të madhe ushtarake, e cila  do të zhvillohet në Wells.

Për të përcjellë ekipin e FSK-së, në kazermën “Adem Jashari”  në Prishtinë, kishin dalë edhe  komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman  Rama, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT) gjeneral brigade Gëzim Hazrolli,  komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë,  kolonel Xhevahir Geci, shefi i Shtabit të KFT-së, kolonel  Naim Haziri etj.

Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjeneral  Rama u ka dëshiruar rrugë të mbarë dhe suksese pjesëtarëve që do të marrin pjesë  në këtë garë.

Ai ndër të tjera theksoi se ekipi i FSK-së është i përgatitur që nga shkurti për këtë garë dhe pret rezultate të mira.

“Duhet të keni parasysh se do të përballeni me shumë sfida, por asnjëherë mos harroni se atje po përfaqësoni jo vetëm vetën tuaj dhe FSK- në, po edhe shtetin e Kosovës. Unë shpresoj shumë se edhe kësaj radhe do të korrni suksese, ashtu si edhe në shumë gara të tjera, ku pjesëtarët e FSK-së kanë dalë të parët”, theksoi Rama.

Kontigjenti i Forcës së Sigurisë do të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar nga data 3 deri më 23 tetor 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme