Kontrabanda me emigrantë, PK-ja në bashkëpunim me policitë e rajonit arreston 8 persona

Prishtinë | 21 Mar 2018 | 17:40 | Nga

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë policor me bashkëpunim ndërkombëtar, i cili ka  rezultuar me arrestimin e tetë (8) personave të dyshuar, për përfshirje në raste të kontrabandës me emigrantë, transmeton Ekonomia Online.

Operacioni policor, i bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Departamenti Kundër Krimeve të Rënda, është realizuar nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, i asistuar edhe nga njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës.

Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës si rezultat i planifikimeve dhe veprimeve operacionale policore, janë kryer shtatë (7) kontrolle në disa lokacione që shtrihen në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës si në  Prishtinë, Pejë, Gjakovë dhe Ferizaj, ku në cilësi të provave materiale janë  sekuestruar:2 pasaporta të shteteve të ndryshme,

  • 2 letërnjoftime të shteteve të ndryshme,
  • 1 patentë shofer,
  • 12 telefona të llojeve të ndryshme,
  • 4 armë të shkurta të llojeve të ndryshme,
  • 2 karikator dhe 40 fishek,
  • 1 Ipad me 1 USB dhe
  • Disa dokumentacione të ndryshme relevante me rastin.

Në komunikatë thuhet se këtij operacioni policor i ka paraprirë edhe një bashkëpunim i vazhdueshëm ndërkombëtar me autoritetet policore të shteteve të ndryshme të rajonit duke përfshirë edhe Slloveninë, nën asistimin dhe koordinimin e EUROPOL-it, në të cilat po ashtu janë  realizuar operacione policore me karakter të njëjtë.

Me vendim të prokurorit kompetent të gjithë personave të dyshuar iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.

Të ngjashme