Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit F.H për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, importimi, eksportimi, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo mjeteve plasëse, si dhe kundër të pandehurve B.S dhe S.S për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale ‘tregtia e ndaluar’ dhe ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’.
Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurve F.H, B.S dhe S.S iu ka caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“I pandehuri F.H në kundërshtim të ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët apo materialet plasëse dyshohet se ka furnizuar, transportuar, ndërmjetësuar ose shitur armë dhe revole të tipit “Glock” dhe të tipit “Sik – suver” si dhe një sasi të municionit prej 750 copë, ndërsa të pandehurit B.S dhe S.S pas marrëveshjes paraprake, në intervalin kohor që nga muaji dhjetor të vitit 2018, në qytetin e Prishtinës kishin vënë në qarkullim barërat ose produktet mjekësore pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga personi apo enti i autorizuar, gjithashtu të njëjtit pa autorizim kishin shitur, blerë dhe kishin bërë shkëmbimin e barërave dhe produkteve mjekësore” thuhet në komunikatë.
“Gjykata ka konstatuar se lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është caktuar masa së paraburgimit kundër të pandehurve F.H, B.S dhe S.S pasi që i njëjtit dyshohen për vepër të rëndë penale, andaj po të gjendet në liri ekziston rreziku i ikjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën e procedurës penale”.