Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë të përgjithshme me qëllim të parandalimit të lidhjes së kontratës së re me Z-Mobile, teksa ata paralajmërojnë edhe padi ndaj kësaj kompanie.
E kontrata në mes të Z-Mobile dhe Telekomit të Kosovë ka validitet vetëm edhe sot, 30 korrik 2019, ndërsa ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar për shkëputjen e kësaj kontrate, përveç një deklarimi publik që udhëheqësit e Telekomit e bënë ditë më parë.
Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, ka thënë dje në Interaktiv se për punëtorët e kësaj ndërmarrje, kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund.
Të hënën Bordi i Drejtorëve të Telekomit ka mbajtur një mbledhje të gjatë, por nuk ka treguar akoma nëse do të vazhdohet kontrata pas 30 korrikut.
Pavarësisht çdo vendimi që mund të ketë marrë ky bord, sipas Balajt, tashmë punëtorët e konsiderojnë të përfunduar dhe më s’do të zbatojnë marrëveshje potenciale me Z-Mobilen.