Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, sot nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, për implementimin e Programit Nacional për Rininë për të gjithë nxënësit dhe studentët e kësaj komune.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar për secilin nxënës të secilës shkollës, duke filluar nga niveli fillor, i mesëm i ulët dhe niveli i mesëm i lartë. Ky program parasheh përfshirjen e të gjithë nxënësve dhe studentëve në garë dhe pres që të gjithë ata të përfitojnë nga ky program”, u shpreh Hoti.
Nga ana e tij, kryetari Muhaxheri theksoi se do ta mbështesë Programin Nacional për Rininë sepse do t’i ndihmojë Pejës veçanërisht në sport.
“Përmes këtij programi ne do ta finalizojmë projektin e futjes së sportit nëpër shkolla. Ne kemi ndërtuar shtegun e atletikës që në raport me programin do të mundësojë zhvillimin e garave në atletikë”, tha Muhaxheri.
Hoti ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri.
“Ministria e Arsimit e mbështet fuqishëm Programin Nacional për Rininë dhe ne do ta mbështesim koordinatorin për çka do që të jetë nevoja për të mirën e të rinjve”, potencoi Guri.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është asistimi i ndërsjellë për implementimin e Programit Nacional për Rininë si dhe aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportit.