Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri, ka pritur sot në takim Drejtorin Ekzekutiv të Institutit Ndërkombëtar për Inteligjencë të Jashtëzakonshme (ATOMI), Jusuf Thaçin dhe përfaqësues të Organizatës Debate Centre, Ardi Shatri dhe Njomza Tmava.
Në këtë takim u diskutua për garat që tashmë kanë filluar në kuadër të Programi Nacional për Rininë dhe për mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjellët. Koordinatori Hoti foli për Programin Nacional për Rininë dhe për mundësitë që ky program u jep të gjithë nxënësve dhe studentëve të vendit.
“Ne duhet të krijojmë kushte më të mira për nxënësit. Programi Nacional për Rininë në tri fushat e tij: kreativitet kulturor dhe mendim kritik, dituri dhe sport u jep mundësi të gjithë nxënësve të Republikës së Kosovës që të shfaqin aftësitë e tyre. Me sistemin tonë do ta kemi më të lehtë të identifikojmë talentët në secilën fushë”, tha Koordinatori Hoti.
E Drejtorit Thaçi tha se është fillimi i realizimit të një programi të tillë është hap i mirë dhe bëri të ditur se ai e mbështet këtë program. “Është hap shumë i mirë hapi që keni ndërmarr. Gjërat e mira duhet të hyjnë në sistem dhe të funksionojnë”, tha Thaçi.
Ndërsa, përfaqësuesit e Organizatës Debate Centre u fokusuan më shumë tek gara e debatit në kuadër të kreativitetit kulturor dhe mendim kritik. Sipas tyre gara që po organizohet në debat është e rëndësishme për të rinjtë e Kosovës. Ata u pajtuan që të bashkëpunojnë në organizimin e garave sidomos në nivelin universitar.
Programi Nacional për Rininë ka filluar të realizohet që nga 19 shkurti i këtij viti me garën në kreativitet kulturor dhe mendim kritik, për të vazhduar pastaj me garën e diturisë dhe që nga shtatori i këtij viti me garën në sport.