Në vazhdën e vizitave nëpër shkolla, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, vizitoi disa shkolla në komunën e Gjilanit për të parë nga afër implementimin e Programit Nacional për Rininë.
Hoti, vizitoi Gjimnazin e Shkencave Natyrore “Xhavit Ahmeti” në Gjilan ku takoi drejtorin e kësaj shkolle dhe mësimdhënësit me të cilët diskutuan për ecurinë e programit.
“Ne kemi filluar implementimin e Programit Nacional për Rininë me garën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik nëpër të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. Më vjen mirë që në shkollën tuaj ka filluar mbarë kjo garë”, tha Hoti.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Drejtori Komunal i Arsimit, Nazim Gacia, i cili e falënderoi Hotin dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim për implementimin e programit.
Përpos gjimanzit, Hoti vizitoi edhe shkollën fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, ku edhe aty takoi drejtorin dhe mësimdhënësit e shkollës, me të cilët biseduan për realizimin e programit.
Implementimi i Programit Nacional për Rininë ka filluar më datë 19 shkurt të këtij viti me garën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik.