Koreja e Veriut lëshoi dy raketa me rreze të shkurtër – për herë të tretë në pak më shumë se një javë – thanë zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë së Jugut.
Sikurse dy herët e tjera, Koreja e Veriut i gjuajti raketat në Detin Lindor, tha Koreja e Jugut.
Zyrtarët në Seul thanë se janë në gjendje gatishmërie dhe se “po e monitorojnë situatën në rast të gjuajtjeve të tjera”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë përpjekje të rinisë negociatat për çarmatosje me Korenë e Veriut.
Shtëpia e Bardhë i minimizoi lëshimet e raketave, duke i cilësuar si “shumë standarde”, ndërsa tha se Trump është ende i hapur për negociata.
Më 31 korrik, Koreja e Veriut testoi dy raketa që fluturuan rreth 250 kilometra, në një lartësi maksimale prej 30 kilometrash.
Phenjani testoi një raketë edhe më 25 korrik.
Këto zhvillime vijnë pasi Trump, në fund të qershorit, ka takuar udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, në zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë dhe janë pajtuar për të rinisur bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean.