Koreja e Veriut u kërkoi qytetarëve të saj të qëndrojnë brenda, për shkak të frikës se “pluhuri i verdhë”, që fryn nga Kina, mund ta sjellë koronavirusin me vete.
Rrugët e kryeqytetit Phenjan raportohet se janë të zbrazëta pas paralajmërimit.
Shteti sekret thotë se nuk ka asnjë rast me koronavirus, por që nga janari i ka mbyllur rreptësisht kufijtë dhe ka kufizuar lëvizjen.
Tash për tash nuk ka asnjë lidhje të njohur midis “pluhurit të verdhë” dhe koronavirusit.
“Pluhuri i verdhë” i referohet rërës nga shkretëtirat mongole dhe kineze, që fryn në Korenë e Veriut dhe Jugut, në periudha të caktuara të vitit.
Rëra është e përzier me pluhur toksik, gjë që prej vitesh ka ngritur shqetësime për shëndetin në të dyja vendet.
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, koronavirusi mund të mbetet në ajër për disa orë.
Mgjithatë, sipas tyre, është jashtëzakonisht e rrallë që dikush të infektohet në këtë mënyrë – veçanërisht jashtë.
Mënyra kryesore e infektimit është kur një njeri qëndron afër dikujt që është i infektuar dhe ky i fundit kollitet, teshtin ose flet, duke e përhapur virusin me pikat e pështymës.