Koreja e Veriut ka shkatërruar dhjetë pika të rojes në Zonën e Demilitarizuar (DMZ) në kufirin me Korenë e Jugut.
Dhjetë pikat e rojes janë shkatërruar në kuadër të marrëveshjes mes dy Koreve të arritur në muajin shtator, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap duke cituar një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut.
Sipas njoftimit, Koreja e Veriut ia ka komunikuar Jugut planin e shkatërrimit të dielën.
Fillimisht dy vendet kishin rënë dakord t’i shkatërronin të gjitha 11 pikat në DMZ, por më vonë ishin pajtuar që të ruajnë nga një pikë të rojes për shkak të rëndësisë historike.
Ministria muajin e kaluar njoftoi përfundimin e aktiviteteve për tërheqjen e ushtarëve të armatosur, armëve të zjarrit dhe pikave të rojes në Zonën e Përbashkët të Sigurisë në DMZ në kuadër të marrëveshjes së arritur për zvogëlimin e tensioneve, parandalimin e përleshjeve të padëshiruara dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë.
Afrimi mes dy Koreve filloi pasi presidenti jugkorean Moon Jae-in dhe lideri verikorean Kim Jong-un u takuan në fshatin e armëpushimit Panmunjom në kufirin mes dy vendeve më 27 prill. Dy liderët kishin rënë dakord të nisnin takimet për denuklearizim të plotë të gadishullit dhe shndërrimin e armëpushimit aktual në paqe të përhershme.
Pas samitit historik në prill, Moon dhe Kim u takuan edhe një herë më 26 maj për të diskutuar procesin e paqes.
Liderët u takuan më pas në muajin shtator në Phenian dhe arritën marrëveshje për uljen e tensioneve. Moon dhe Kim u zotuan për t’i vazhduar përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe publikuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën theksohej se Koreja e Veriut do të bëjë më shumë hapa për denuklearizim të gadishullit nëse SHBA bën hapat e duhur.