Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka publikuar raportin mbi funksionimin e grupeve kriminale që kontrollojnë një korridor, i cili shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave etj. Këtë raport do të mund ta lexoni në dy vazhdime në gazetën “Zëri”, ku flitet për grupet kriminale në vend, si dhe në pesë shtetet tjera të Ballkanit, shkruan gazeta “Zëri”.
Grupet kriminale në Ballkanin Perëndimor kontrollojnë një korridor, i cili shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave, si dhe mallrave të tjera. Kështu thuhet në raportin e publikuar dje në Vjenë të Austrisë nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), të cilin raport e posedon edhe gazeta “Zëri”.
Mark Shaw, drejtor i Iniciativës Globale (GI), ka theksuar me këtë rast se raporti analizon aktivitetet e paligjshme në zona kufitare, qytete kryesore, qytete bregdetare, si dhe nyje transporti ku kryqëzohen autostradat.
Ndonëse raporti nuk ndalet në mënyrë të veçantë mbi lëvizjen e mallrave kontrabandë, gjatë studimit bëhet e ditur se është krijuar një listë e përditësuar e trafiqeve të paligjshme në korridoret ballkanike, si dhe janë identifikuar pikat dhe faktorët e dhunës në rajon, raporton gazeta “Zëri”.
“Të bën përshtypje fakti se shumica e aktiviteteve të paligjshme në këtë rajon kanë të bëjë me trafiqe që hyjnë ose dalin nga vende të Bashkimit Evropian”, ka bërë të ditur Shaw, duke shtuar se BE-ja i ka mundësitë dhe përgjegjësinë që të ushtrojë presion të mjaftueshëm për të shkatërruar këto tregje të paligjshme, duke reduktuar ndikimin e krimit të organizuar mbi vendet e Ballkanit dhe kjo është në vetë interesin e BE-së.
Raporti, të cilin e posedon gazeta “Zëri”, po ashtu shqyrton zona problematike në kontekstin e një ekosistemi më të gjerë të krimit, që karakterizohet nga klientelizmi, patronazhi politik dhe në disa raste edhe nga kapja e shtetit, ku potencohet se ata politikanë që luajnë rolin e nacionalistit të flaktë shpesh janë përgjegjës për dobësimin nga brenda të sovranitetit të shtetit dhe janë të gatshëm të vënë në rrezik interesat kombëtare për përfitime personale.
Sa i përket pjesës së raportit për Kosovën, aty mund të lexohet një profil për veriun e Kosovës si një zonë problematike. Për Prishtinën thuhet se ndër aktivitetet kryesore të grupeve kriminale të organizuara në kryeqytet është edhe trafikimi i drogës, për qytetin e Pejës thuhet se ushtrojnë ndikimin e tyre disa figura me peshë politike në vend, ndërsa për qytetin e Ferizajt në raport thuhet se konsiderohet si zonë problematike për trafikimin e drogës, veçanërisht kanabis dhe heroinë. “Grupet kriminale që operojnë në këtë qytet thuhet se janë të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore (për prostitucion), dhënie huash me interesa shumë të larta, si dhe zhvatje e shantazhe në lidhje me pronësinë e tokave”, thuhet mes të tjerash në raportin e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të cilin e posedon “Zëri”.