Ambasadorët e vendeve të Quintit, së bashku me përfaqësuesit e UNDP-së dhe Institutit Demokratik të Kosovës, kanë mbajtur fjalime në hapjen e Javës së Anti-Korrupsionit në Kosovë.
Ambasadorët e shteteve të Quintit në Kosovë kanë bërë thirrje për luftim të korrupsionit nga institucionet e vendit e veçanërisht ato të drejtësisë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka kujtuar se korrupsioni në Kosovë nuk është problem i ri, por që ka kohë që është i pranishëm në shoqërinë kosovare.
“Po mundohemi të shprehim ndihmën tonë në mënyrë që të përmirësohet kjo gjendje, e cila është, por Kosova duhet të jetë ajo e cila seriozisht merr punën që të luftojë korrupsionin. Ambasada jonë së bashku me Ministrinë e Drejtësisë po mundohemi që të luftojmë këtë dukuri e cila jo fort jep imazh të mirë për Kosovën”, tha Delawie.
Ndërsa, Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, në Javën Kundër Korrupsionit ka folur për mundësinë e keqpërdorimit të parave të taksapaguesve.
“Ambasada jonë ka një fokus në investimet, çdo vit shuma të mëdha të taksapaguesve shpenzohen në aktivitete ekonomike, kjo mundëson mundësi të madhe për biznesin në kompani të ndryshme por prokurimi mund të ofrojë edhe mundësi joligjore për zyrtarët e Qeverisë për shërbime jo ligjore personale”.
Viets ka thënë se disa aktivitete të Qeverisë ofrojnë më shumë mundësi për korrupsion, duke u fokusuar në fushën e shëndetësisë.
“Korrupsioni në nivel botëror përfshin 25 % të prokurimit publik, përfshin fusha të ndryshme derisa sektori i shëndetësisë është shembull i korrupsionit, kur flasim për barnat ose mirëmbajtjen e njësive teknike. Është një lidhje mes mjekëve dhe kompanive farmaceutike”, ka thënë ajo.
Ambasadorja gjermane është shprehur se korrupsioni krijon mosbesim.
“Çfarë mund të bëhet për korrupsionin? Korrupsioni në fushën e prokurimit publik duhet të sigurohet përmes mekanizmave mbrojtës dhe funksionimit të ligjit”.
“Qeveritë duhet të garantojnë shërbime cilësore, duhet të kenë transparencë”.
Ajo tha se duke iu referuar Transparency International luftimi i korrupsionit në fushën e prokurimit është prokurimi elektronik.
Kurse, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell, ka thënë se korrupsioni është një kancer, i cili po e minon të ardhmen e Kosovës.
Këto komente ai i ka bërë në fjalimin e tij në hapjen e Javës së Anti-Korrupsionit në Kosovë.
“Korrupsioni është një kancer që e minon të ardhmen e Kosovës. Të mos pretendoj askush që ne ambasadorët e QUINT-it, nuk jemi të interesuar për korrupsionin. Vetë prania jonë këtu tregon se jemi të interesuar për ta luftuar korrupsionin. Po duhet vendosmëri nga politika për ta luftuar këtë dukuri, mirëpo, unë besoj që bashkë me qytetarët e Kosovës kjo është e mundur”, ka thënë O’Conell.
Java kundër Korrupsionit ka nisur sot dhe do të zgjasë deri më 9 dhjetor.