Shefi i zyrës së kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tani i akuzuari Durim Sheremeti, do të ballafaqohet lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kjo për shkak se Gjykata e Apelit, e ka lënë në fuqi aktakuzën, e cila e ngarkon atë se kishte nënshkruar pa autorizim pranimin e kosës së barit për shumën prej 11 mijë euro, edhe pse vlera e saj ishte dymijë euro.
Përveç Sheremetit, Apeli e ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj tre zyrtarëve tjerë komunalë, Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, si dhe biznesmenit Ilir Kelmendi.
Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit theksohet se aktakuza e Prokurorisë së Pejës ka prova të mjaftueshme, të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se zyrtarët komunalë të Pejës, së bashku me biznesmenin Kelmendi, kanë kryer veprat penale.
Kjo gjykatë, i ka refuzuar ankesat e të akuzuarve si të pabazuara.
“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave dhe drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin ligjor dhe procedural, duke u bazuar në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale, për të cilat janë akuzuar të akuzuarit”, thuhet në aktvendimin e Apelit.
Ndryshe, edhe Gjykata Themelore në Pejë, më 6 nëntor 2019, kishte refuzuar kërkesat e të pandehurve që aktakuza ndaj tyre të hudhet poshtë, duke e konfirmuar si të ligjshme aktakuzën e Prokurorisë së Pejës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2019, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11 mijë e 929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.
Në aktakuzë thuhet se ai kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë edhe pse me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxher i projektit për këtë tender ishte Faik Zekaj.
Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.
Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dymijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9.929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9 mijë 929.41 euro.
Dispozitivi i dytë i aktakuzës i ngarkon zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, se me 19 shtator 2017, si zyrtarë komunalë në Komunën e Pejës, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për makinën e barit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.
Sipas aktakuzës, ata pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9 mijë e 929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9 mijë 929.41 euro.
Kurse, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, ashtu që si pronar i firmës “Green Construcion-Shpk”, duke paraqitur fakte të rreme të me qëllim të përfitimit ë kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri Kelmendi kishte fituar tenderin nga Komuna e Pejës, ai nuk i përmbahet kushteve të tenderit ku në shënimin e Komunës së Pejës është paraparë vendi i origjinës së makinës të jetë Turqia dhe firma e makinës së barit të jetë prodhuese e “Uçegen Firça”, ashtu që ai nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës së firmës “Uçegen Firça”, por të firmës “Alpina”, e cila sipas aktakuzës, makina e barit e sjellë nga i pandehuri ishte me çmim të tregut prej dy mijë euro dhe nuk ka ofruar as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, prej 9.929.41 euro. /BetimipërDrejtësi