Fakti se tash e sa vite Kosova nuk ka një dokument strategjik unifikues të sektorit të energjisë e ka dëmtuar zhvillimin e politikave publike në sektorin e energjisë. Draftimi i Strategjisë së Energjisë për periudhën dhjetëvjeçare 2017-2026 është një zhvillim i duhur në sferën e politikave publike në Kosovë. Sidoqoftë, në analizën e publikuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) vihen në pah disa mangësi serioze të dokumentit, të cilat ne rekomandojmë se duhet adresuar në Kuvendin e Kosovës.
Analiza e KOSID dhe INDEP vlerëson se Draftit të Strategjisë së Energjisë së Republikës së Kosovës 2017-2026 nuk i mungon diskutimi i përgjithshëm, por orientimi strategjik siç do të duhej të ishte gjuha e një dokumenti të tillë. Në dokument të gjitha janë paraqitur si prioritet dhe për të gjitha është argumentuar se Qeveria do të marrë masa, por nuk ekziston një çasje e fokusuar e zhvillimit të sektorit që qartësisht do t’i jepte prioritet një sektori ose disa sektorëve në krahasim me të tjerët.
Strategjia në njërën anë e llogarit kërkesën për energji bazuar në shifrat e tanishme të konsumit, e në anën tjetër e pranon nevojën për investime dhe masa në zvogëlim të humbjeve dhe kursim të energjisë. Efiçienca e energjisë ende nuk trajtohet si një nga burimet e rëndësishme të energjisë për të ardhmen, por vetëm si cak i domosdoshëm i imponuar nga jashtë.
Qeveria nuk ka bërë një rillogaritje të efikasitetit real të kostos për projektin ‘Kosova e Re’. Ekziston një përqendrim deri në obsesion për linjit, por nuk është përllogaritur kostoja reale e përdorimit të tij për prodhim të energjisë. Shtete të tjera, si p.sh. Gjermania, e kanë llogaritur koston shtesë që sjellë përdorimi i linjitit. Është llogaritur se kostoja mjedisore dhe shëndetësore është edhe për 10.2 euro cent për kilovat nëse linjiti është baza e prodhimit të energjisë. Marrë në konsideratë faktin që kjo strategji në masë të madhe fokusohet në këtë teknologji, një analizë e tillë do të ishte e domosdoshme.
Strategjisë i mungon një analizë e zbatueshmërisë në përgjithësi. Në strategjitë e vendeve të tjera i është dhënë një rëndësi e madhe rezultateve të pritura. Në këtë strategji, përkundrazi, nuk është bërë as një SWOT analizë e mirëfilltë e kostove, rezultateve të pritura dhe përfitimeve nga politikat e ndërmarra. Kësisoji, edhe njëherë, dokumenti është më tepër i fokusuar në prioritetet e përgjithshme sesa që është i bazuar në shifra e rezultate të matshme. Strategjia gjithashtu nuk merr për bazë trendet afatgjata, të tilla si politika evropiane e dekarbonizimit, e cila deri në vitin 2050 parasheh sisteme energjetike evropiane të liruara plotësisht nga djegiet fosile.
Nuk ka një analizë të çmimit të energjisë dhe përballueshmërisë së tij nëpër skenarë të ndryshëm. Kjo do të ishte e domosdoshme për të parashikuar koston sociale të prodhimit të energjisë dhe çmimeve. Nuk është bërë ndarje e qartë në mes të çrregullimit të çmimeve të energjisë dhe mbulimit të kostos së ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike. Kostoja sociale është dashur gjithsesi të parashihet në një trajektore për shkak se ka shqetësime të vazhdueshme për impaktin e termocentralit të ri në çmimin e energjisë tek konsumatorët fundorë.
Një strategji e energjisë që nuk parashikon kaptinë të veçantë për naftën dhe nuk e trajton atë sa duhet nuk mund të quhet strategji e plotë. Furnizimi me naftë, e veçanërisht rezervat e naftës janë pothuaj krejtësisht të munguara. Kosova aktualisht llogaritet të ketë rezerva të naftës për vetëm katër ditë të konsumit, ndërkohë që legjislacioni evropian kërkon që të ketë rezerva sa mesatarja e së paku 61 ditëve të importit ose e 90 ditëve të konsumit. Niveli aktual i rezervave të naftës nuk garanton siguri të furnizimit dhe kjo është dashur të paraqitet në raport. Gjithashtu, politikat e transportit përfshirë transformimin e karburantit dhe mbrojtjen e mjedisit e të shëndetit nuk janë trajtuar në strategji.
Integrimi i tregjeve të energjisë dhe në veçanti i tregut të energjisë elektrike nuk është elaboruar sa duhet. Një dokument strategjik i tillë do të duhej të elaboronte kostot e një procesi të tillë, benefitet dhe ndikimet tek akterët në treg, tek rrjeti i tanishëm dhe veçanërisht tek qytetarët. Integrimi i tregut dhe çrregullimi i çmimeve do të duhej të kishin ndikim përfundimtar në politikat energjetike në vend, por në bazë të strategjisë këto përmenden si objektiva nga këndi i obligimeve ndërkombëtare por nuk jepen shpjegime dhe analiza mbi kost-benefitin e tyre pasi ato të ndodhin.
Përfundimisht, strategjia edhe me rastin e integrimit të tregut të energjisë, edhe në përcaktimin e prioriteteve në fushën e energjisë, vërehet që nuk janë analizuar skenarë të ndryshëm dhe nuk janë dhënë shifra që balancojnë integrimin dhe derregullimin e çmimeve me nevojën ose jo për kapacitete të reja. Strategjia ka nevojë të plotësohet me prioritete të qarta, që merr në konsideratë të gjitha kostot dhe skenarët dhe që i jep Kosovës një drejtim të qartë e konsensual të zhvillimit të sektorit të energjisë.
Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në mbledhjen e nesërme (më 22 dhjetor) do të shqyrtojë Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026. KOSID dhe INDEP ua kanë dërguar këtë analizë anëtarëve të këtij Komisioni në mënyrë që të andresohen mangësitë e identifikuara.