Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për Ditën e të Pagjeturve sot në Gjakovë.
Ai në një fjalë rasti tha se askush nuk duhet të dyshojë mbi marrëdhëniet dhe miqësinë e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Askush mos të dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën dhe fqinjët e Kosovës mbetët e qëndrueshme.
“Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata që vdiqën që Kosova të jete e lirë”.
“Për hir të gjeneratave që vijnë pas e nxis popullin e Kosovës dhe fqinjët tuaj të pranoni dhe të diskutoni drejtpërdrejt për çastet e errëta të historisë suaj të përbashkët”.
“Për disa kjo do të thotë pranim të realitetit të fushatës së spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit, që rezultoi me vrasjen dhe zhdukjen e mijërave dhe për t’u siguruar qe përgjegjësit të japin llogari të plotë”.
Kosnett tha se Klosova duhet t’i përmbahet parimit për llogaridhënie për të gjithë ata individë që kanë kryer krime gjatë kohës së luftës dhe pas saj.
“Demokracia për popullin e Kosovës duhet të nënkuptojë se duhet t’i përmbahet një parimi më të lartë dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë ata individë që kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës përkundër realitetit të hidhur se shumë fajtorë tjetër kund i janë shmangur drejtësisë deri tash”.