Osmani bëri homazhe në Mejë: Serbia synonte shfarosjen e popullit shqiptar

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në kompleksin e martirëve në Meje në 22 vjetorin e masakrës.

Ajo ka thënë se Serbia kishte synim shfarosjen e popullit shqiptar. Osmani në Meje bëri homazhe së bashku me kryeparlamnetarin Glauk Konjufca.

Postimi i plotë i saj:

22 vjet më parë, njësitet e ushtrisë serbe, policia dhe paramilitarët serbë, në aksionin e planifikuar dhe të organizuar nga shteti serb, nën emërtimin “Reka”, pasi i bllokuan rrugët që të shpien në drejtim të Mejës, i ekzekutuan 376 shqiptarë, civilë të paarmatosur, burra e djem, 36 nga të cilët fëmijë nën 18-vjec. Ata e bënë këtë të shtyrë nga urrejtja etnike dhe nga synimi i sëmurë i Milloshevicit për ta shfarosur popullin shqiptar të Kosovën.

 Eshtrat e shumë prej viktimave janë gjetur në Serbi, ku regjimi serb i kishte dërguar si pjesë të planit për t’i fshehur krimet. 13 prej tyre janë ende ndër personat e pagjetur, të zhdukur me dhunë, viktima të gjenocidit serb në Kosovë.

 Ndërmarrja gjenocidale e Serbisë provoi në Mejë, sikur gjithandej Kosovës, që duke i masakruar e rrëmbyer më të dashurit tonë, ta mbyste vullnetin tonë për liri. Por, shpirti liridashës nuk mundi të ndalej as me aparteidin dhjetëra vjeçar e as me gjenocidin e kryer ndaj nesh. 

 Ne sot përkulemi me nderim të thellë para viktimave të këtij gjenocidi, edhe për ta kujtuar se sa e rëndësishme është që ta ruajmë e dëshmojmë kujtesën për ta, e mbi të gjitha të arrijmë drejtësi për ta. Vetëm kështu do të sigurohemi se dëshmia jonë do të ruhet dhe do të shërbejë për të dokumentuar krimet dhe për ta emërtuar synimin e Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar me emrin e tij të vërtetë: gjenocid.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme