Kosnett: ShBA-ja asnjëherë nuk e ka shtyrë aktivisht ndonjë ndryshim të madh të kufijve

Prishtinë | 03 Dhj 2019 | 08:00 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara jo vetëm për t’i kthyer Qeverinë e Serbisë dhe atë të Kosovës në tavolinën e negociatave, por edhe për t’i siguruar kushtet për përmbyllje të suksesshme të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ka thënë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett, në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Sipas tij, marrëveshja është e mundur të arrihet brenda vitit të ardhshëm. Gjatë viteve të kaluara, zyrtarë të Administratës amerikane kanë deklaruar që nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të përfshinte ndonjë rregullim të kufirit, atëherë SHBA-ja do ta shikonte atë marrëveshje e nuk do ta hidhnin poshtë. Kosnett mendon se njerëzit e kanë keqkuptuar këtë, duke paramenduar se kjo nënkupton që Shtetet e Bashkuara aktivisht po e shtyjnë ndonjë ndryshim të madh të kufijve.

“Kurrë nuk ka qenë ashtu. Për më tepër, pozicioni ynë ka qenë që çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e pranueshme për popujt e dy vendeve, e jo vetëm për disa politikanë”, ka thënë Kosnett.

Por, sipas diplomatit amerikan, është e mundshme që Kosova dhe Serbia, si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme, ta shikojnë mundësinë e shënimit të kufirit. Se a duhet konsideruar ky opsion, Kosnett ka thënë se kjo është pyetje për zyrtarët e të dyja qeverive – se a presin apo jo që të ketë diskutime për territore në të ardhmen.

Në vizitën që i pari i Shteteve të Bashkuara ua bëri ambienteve të reja të Grupit KOHA, ka folur edhe për sfidat që e presin qeverinë e ardhshme. Ai, po ashtu, ka thënë se është joreale të flitet për qeverisje pa e pranuar realitetin politik të Listës Serbe.

Ai u ka dhënë përgjigje edhe zërave që kërkojnë rishikimin e mandatit të Gjykatës Speciale. Sipas ambasadorit amerikan, çfarëdo përpjekje në këtë drejtim do të ishte tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara dhe viktimave nga të gjitha komunitetet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme