Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, u shpreh sot se Kosova ka ende punë për të bërë në zhvillimin e saj ekonomik dhe forcimin e paqes, ndërsa bëri thirrje për t’iu ofruar të rinjve vende pune, pasi në mungesë të tyre njerëzit po e braktisin vendin.
Ai këto komente i bëri në ceremoninë përmbyllëse të Programit të lidershipit përmes të cilit janë ofruar bursa dhe partneritet në universitetet amerikane dhe atyre të Kosovës, i mbështetur nga Qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës.
Njerëzit po ikin nga Kosova sepse nuk mund të gjejnë punë nëse nuk i takojnë familjes apo partisë së duhur dhe shumë të tjerë po e shqyrtojnë ikjen
Diplomati amerikan ka inkurajuar pjesëmarrësit e Programit të USAID-it Lidershipi Transformues (TLP) – Bursat dhe Partneritetet që të luajnë një rol të rëndësishëm për perspektivën e ardhshme dhe t’iu prijnë ndryshimeve të rëndësishme në fushën ekonomike, politike e shoqërore.
“Duke iu falënderuar bursave të TLP-së gati 300 qytetarë kanë shkuar në SHBA dhe janë kthyer me diploma të avancuara dhe kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme. Të diplomuarit përmes TLP-së gjithashtu formuan inkubator ndërmarrësie që po iu ndihmon qindra studentëve për t’iu kthyer ëndrrat e tyre perëndimore të sapo themeluara në realitet. Përveç TLP-së, Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Arsimit kanë themeluar partneritet të ngushtë me universitetet amerikane dhe kanë ndihmuar për shkëmbimin e stafit dhe kështu ka nisur qendra për kërkim dhe zhvillim të karrierës për t’i dhënë hov resurseve për studentë dhe universitete. Shpresoj që Qeveria e Kosovës do ta marrë udhëheqjen për të siguruar qëndrueshmërinë e këtyre investimeve dhe partneritet në mbështetje të arsimit të lartë”, ka thënë ai.
Për më tepër diplomati amerikan foli edhe për sfidat me të cilat studentët e programit TLP do të përballen me ndërtimin e së ardhmes ekonomike të Kosovës, dhe gjetjen e mënyrave për tejkalimin e këtyre sfidave, transmeton kp.
“Kur njerëzit më pyesin se pse më shumë kompani nuk hapin fabrika në Kosovë, sepse Kosova e do Amerikën, apo qeveria amerikan nuk i urdhëron ndërmarrjet për të hapur fabrikat, unë jam ai që duhet të jap lajmet e këqija, sepse amerikanët që e njohin Kosovën kanë pasur respekt dhe dashuri për këtë vend siç ndiejnë kosovarët për SHBA-në, por biznesmenët do të investojnë atje ku ka kuptim për biznes dhe pikë”, u shpreh Kosnett.
Ambasadori amerikan tha se për zhbllokimin e potencialit ekonomik, Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet për t’iu ofruar të rinjve mundësi për t’i zhvilluar shkathtësitë e nevojshme për vendet e punës, reformën në sistemin e arsimit dhe mënjanimin e politikës nga sektori i arsimit.
“Drejtësia nënkupton t’iu mundësosh më shumë grave të marrin pjesë në tregun e punës dhe të kenë të njëjtat gjasa për sukses si meshkujt. Gjithashtu nënkupton mos përzierjen e politikës në procesin e punësimit. Njerëz brilant po ikin nga Kosova, sepse nuk mund të gjejnë punë nëse nuk i takojnë familjes apo partisë së duhur dhe shumë të tjerë po e shqyrtojnë ikjen”, tha ai.
Diplomati amerikan potencoi rëndësinë e vazhdimit të paqes në vend, duke thënë se ndërmarrjet nuk mund të kenë sukses pa pasur drejtësi dhe paqe të përsosur për Kosovën dhe fqinjët e saj.
Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, vlerësoi rolin e shtetit amerikan në mbështetjen si partner të Kosovës në fushën e arsimit.
“Nëse Kosova synon madhështinë, ne duhet të kemi njerëz të kualifikuar dhe universitete publike të shkëlqyera. Themeluesit e TLP-së, ajo e SHBA-së dhe e Kosovës e kuptuan këtë. Sot jemi falënderues dhe mirënjohës për shumë palë të interesit, themeluesit e TLP-së, të miqve qytetarëve tatimpagues të të dyja vendeve, të cilët e financuan këtë program, njerëzit në SHBA dhe Kosovë, të cilët e menaxhuan atë dhe ruajtën integritetin e këtij programi”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se duhet investuar më tepër në arsimin e lartë dhe të përmbushen standardet për të konkurruar me ekonominë e zhvilluar botërore, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar angazhimin në programi TLP edhe për pesë vjetët e ardhshme me World Learning.
Programi i USAID-it Lidershipi Transformues (TLP) – Bursat dhe Partneritetet, aktivitet ky pesëvjeçar ka për qëllim zhvillimin e një kuadri udhëheqësish që do t’u prinin ndryshimeve të rëndësishme në fushën ekonomike, politike dhe atë shoqërore në Kosovës, përmes bursave, zhvillimit të lidershipit dhe partneriteteve me universitetet në SHBA.
TLP u ka mundësuar 181 studentëve që të fitojnë diploma të nivelit master dhe 107 bursistëve të tjerë të përfundojnë programe të certifikimit profesional në SHBA.
Programi i USAID-it Lidershipi Transformues – Bursat dhe Partneritetet u realizua në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa partner implementues ishte World Learning.