Kosova anëtarësohet në “Egmont Group”, ndihmon luftimin e krimeve ekonomike

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 17:56 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në cilësinë e kryetarit të Bordit të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, ka njoftuar se kjo njësi është anëtarësuar në “Egmont Group”.

Në konferencën e thirrur për medie, në orët e mbrëmjes, Hoti tha se anëtarësimi i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës në “Egmont Group” është një arritje e madhe për vendin në rrugëtimin drejt anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Anëtarësimi i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës në ‘Egmont Group’, është bërë sot në takimin vjetor të kësaj organizate në Doha të Katarit. ‘Egmont Group’ është rrjeti i Njësive të Inteligjencës Financiare në botë. Në ‘Egmont Group’ bëjnë pjesë 152 shtete. Nga sot, kjo organizatë ka 153 shtete anëtare”, shtoi ministri Hoti.

Sipas kreut të MF-së, Njësia e Inteligjencës Financiare është institucion shumë i rëndësishëm në kuadër të Ministrisë së Financave, që është përgjegjës për kërkimin, marrjen, analizimin dhe shpërndarjen tek autoritet kompetente të informacionit në lidhje me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

“Ky anëtarësim do të kontribuojë në luftimin dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit dhe kjo është e rëndësishme për Kosovën si shtet i ri për të dhënë kontributin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu do të kontribuojë në lehtësimin e shkëmbimit ndërkombëtar të informatave, ngritjen e kapaciteteve profesionale për stafin e NJIF nga ana e ‘Egmont Group’, si dhe në ofrimin e informatave për institucionet e zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.

“Njësia e Inteligjencës Financiare të Kosovës pat dorëzuar aplikimin për anëtarësim në gusht të vitit 2013. Në cilësinë e kryetarit të Bordit shpreh kënaqësinë që sot Kosova u bë anëtare me të drejta të plota. Në procesin e vlerësimit të dosjes nga ‘Egmont Group’ u desh të behën ndryshime strukturore dhe përmirësime ligjore”, shtoi ministri.

“Ne kemi përmbushur të gjitha kushtet e anëtarësimit, kemi ndryshuar ligjin në pajtim me partnerët tanë ndërkombëtarë, është implementuar Direktiva e BE-së 2015/849 e datës 20 maj 2015 për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

“Kjo punë përgatitore serioze ka bërë që Kosova të konsiderohet sot një vend ku zbatohen standardet më të avancuara në fushën e luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. NJIF sot është më e dalluara në rajon në këtë aspekt”, shtoi Hoti.

Ai gjithashtu falënderoi stafin e Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë këtyre viteve dhe i përgëzoi ata për këtë anëtarësim.

MF-01 (1)

Të ngjashme