Kosova do të ketë Qendër Nacionale të Xhudos me seli në Pejë. Këtë e ka bërë të ditur përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, të mërkurën.
Sipas tij, Asambleja Komunale e Pejës ka votuar për ndarjen e parcelës për Qendrën Nacionale të Xhudos. Kjo është bërë falë marrëveshjes së Komunës së Pejës me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS) dhe me Federatën e Xhudos së Kosovës (FXhK).
Kuka ka thënë se është shumë i lumtur që Kosova do të ketë qendrën e saj nacionale të xhudos, pasi ka pasur nevojë për një të tillë. Kjo qendër do të ndërtohet nga Qeveria e Kosovës, kurse punimet për ndërtimin e saj do të nisin vitin tjetër, shkruan sot Koha Ditore.
“Propozimi është aprovuar dhe tashmë parcela për këtë qendër është ndarë. Falënderoj të gjithë që e kanë mundësuar këtë, pasi tash e tutje xhudoja do ta ketë shtëpinë e vet dhe kjo është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Kuka për gazetën.
Kuka ka bërë të ditur se ndërtimi i qendrës do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.