Ekspertët e ekonomisë në vend thonë se nga Plani për Zonën Rajonale Ekonomike, të miratuar në Samitin e Triestes, Kosova më shumë do të humbasë sesa pritet që të përfitojë. Sipas tyre, shtetet e vogla si Kosova pësojnë humbje në marrëveshje tregtare ekonomike për shkak të politikave doganore dhe zhvillimit të ulët ekonomik, shkruan sot, gazeta Zëri.
Në Samitin e Triestes gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar Planin për Zonën Rajonale Ekonomike (MAP), e cila për qëllim ka përgatitjen e këtyre vendeve për anëtarësim në BE.
Megjithatë, përkundër kësaj, ekspertët e ekonomisë në vend thonë se nga ky Plan Kosova më shumë do të humbasë sesa pritet që të përfitojë. Sipas tyre,shtetet e vogla si Kosova pësojnë humbje në marrëveshje tregtare ekonomike për shkak të politikave doganore dhe zhvillimit të ulët ekonomik që ka vendi ynë, shkruan Zeri.
Kurse përfitimet mund të jenë në rrugën e integrimit në tregun evropian, fushës së energjisë e në lëvizje të lirë. Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike (OEK) pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Triestes e ka konsideruar frytdhënës për fushën e energjisë. Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë për Kosovën për bashkëpunim me vendet e rajonit.
“Pjesë e rëndësishme janë projektet në energji dhe në transport, që krijojnë korridore të reja dhe lidhje në korridore ekzistuese për të gjitha vendet e Ballkanit, si dhe mundësi për avancim drejt një tregu të përbashkët rajonal energjetik për ta shfrytëzuar potencialin komplementar të burimeve energjetike në rajon”, ka thënë Rukiqi.