Në Ditën e Evropës, kur ne po pushojmë e europianët punojnë, Kosova po vazhdon të shantazhohet nga të gjithë…
Në Ditën e Europës, ne festojmë ndërsa europianët punojnë dhe si të “burgosurit” e fundit të Europës, vazhdojmë të jemi në “rrugë pa krye”, të tallur me të drejtën e lëvizjes dhe të shantazhuar në të drejtën për shtetin.
Në Ditën e Europës, Europa takon presidentin tonë me atë të Serbisë në Tiranë, pa çka se ai thotë përditë që s’do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Ata shtrëngojnë duart, mbase për hir të Federicës apo kamerave, por pasi që presidenti ynë kishte thënë se kishin biseduar me Ramën për ‘bashkim kombëtar’.
Në 68-vjetorin e Europës, as Federica, as Merkel, as Macron dhe asnjë tjetër po s’na tregon pse presidenti ynë duhet të vazhdojë të fotografohet me Vuçiqin nëse s’do ta pranojë kurrë Kosovën. As në Prishtinë nuk e shtrojnë këtë pyetje, sikur të gjithë e dinë se politika e shekullit XXI është show politikë, ose më saktë, se politika ballkanike është show mediatik, me sfilata e darka mondane, herë këtu e herë atje.
Në Ditën e Europës, presidenti ynë insiston për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, presidenti serb thotë se edhe po ta vrasin nuk do ta pranojë Kosovën. E derisa i pari nuk është n’ujdi me “burrat e shpisë” për këtë punë, i dyti veç s’po tregon se për çka do ta pranonte Kosovën. Në Ditën e Europës 20 vjet pas çlirimit, a mos edhe Vuçiq po punon për “Bashkimin Kombëtar” duke e zhbërë shtetin e Kosovës nëpërmjet copëtimit?
“Razgreniçenja” ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve s’ka kuptim tjetër, e kur kësaj ia shtojmë edhe ‘argatin’ tonë kundër shtetndërtimit me hajni, krim dhe papërgjegjësi e papjekuri politike, s’do mend që Kosova ka mbetë pa pikë imuniteti e mund të rrëzohet kollaj.
Në këtë Ditë të Europës, kur ne po pushojmë e europianët punojnë, Kosova po vazhdon të shantazhohet nga të gjithë, nga brenda e nga jashtë. Jo veç nga Z Mobile që duket të jetë mega abuzimi i dy dekadave, por edhe nga klientë që lypin pozita paligjshëm dhe “dëshmitarë” mjeranë që majnë ymyt se iu ka ardhë dita me Gjykatën Speciale.