Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka zhvilluar takim me Komisionin e Senatit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë nga Republika e Çekisë, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit në konferencën për media kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha tha se kanë biseduar për zhvillimin e mëtutjeshëm të të dy shteteve në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë. Berisha ka shtuar se Republika Çeke e ka ndihmuar Kosovën në shumë aspekte.
“Këtë delegacion e kemi prit me kënaqësi të madhe. Kemi bisedu për shumë gjëra. E kam falënderu kryetarin për ndihmën që na ka bërë Republika Çeke e cila është shumë dimensionale si në aspektin diplomatik, në përkrahjen e Republikës se Kosovës, po ashtu në prezencën e ushtarëve të Republikës Çeke në Kosovë. Ne kemi biseduar edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të të dy shteteve në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Berisha gjatë konferencës për media.
Kryetari Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë nga Republika e Çekisë, Pavel Fischer ka thënë se marrëdhëniet mes dy shteteve janë tepër të ngushta dhe tepër të gjera që nga vitet e kaluara. Fischer ka theksuar se miqësia mes dy presidentëve tanë i ka sjellë qetësi rajonit.
“Qëllimi i takimit ishte për adresimin e sfidave aktuale në vend dhe rajon, mundësitë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Marrëdhëniet tona janë tepër të ngushta dhe tepër të gjera që nga vitet e kaluara. Miqësia mes dy presidentëve tanë i ka sjellë qetësi rajonit. Komisioni ynë merret me çështjen e jashtme me mbrojtjen dhe sigurinë. Me zotin kryetar kemi parë mundësi të flasim për qështje të ndryshme në fushën e sigurisë dhe fushën e mbrojtjes. Ne shikojmë që ka shumë projekte të cilat edhe mund të ndihmojmë për t’ ju dhënë atyre jetë për të ardhmen, jo vetëm në fushën e sigurisë”, ka thënë Fischer.