Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani pritet nga Geneviève Darrieusecq, sekretare e Shtetit pranë Ministres së Armatave, në kryeqytetin e Francës në Paris.
Zëvendësministri Ramadani dhe Sekretarja e Shtetit, znj. Darrieusecq, gjatë takimit kanë ritheksuar vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Francës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm, ishte konstatim i përbashkët për detajizimin e raporteve bilaterale në mënyrë që FSK të avancojë edhe më tutje në profesionalizimin e saj, veçanërisht në fushën e edukimit sipas standardeve më të larta demokratike.
“Kosova e sheh Francën si partner të rëndësishëm në forcimin e institucioneve tona, si dhe në rrugën tonë për anëtarësim në NATO. Kosova ka qëllim shtetëror integrimet euro-atlantike dhe ne synojmë të jemi vendi i 31-të anëtar i NATO-s”, ka theksuar zëvendësministri Ramadani.
Ai falënderoi Francën dhe Ministrinë e Armatave për mbështetjen që i kanë dhënë procesit të transicionit të FSK-së, si proces gradual dhe transparent.Zëvendësministri Ramadani, gjatë takimti, theksoi përkushtimin e Kosovës për të qenë kontribuuese për sigurinë rajonale dhe globale, duke vlerësuar lartë aleancat dhe partneritet me shtetet e NATO-s.
Sekretarja e Shtetit në Ministrinë franceze të Armatave, znj.Darrieusecq, shprehu gatishmërinë e Francës për të punuar ngushtë me Kosovën me qëllim të ndërtimit të paqes, besimit, stabilitetit dhe perspektivës perëndimore për tërë Ballkanin.
Zëvendësministri Ramadani gjatë qëndrimit në Francë do të zhvillojë takime edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ndërsa, paraprakisht së bashku me ambasadorin e Kosovës në Francë, z. Qëndrim Gashi, ka marrë pjesë në homazhet për të rënët për liri, në Harkun e Triumfit.
Po ashtu, do të merr pjesë edhe në aktivitetet e ambasadës së Kosovës në Paris, për nder të 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.