Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi zhvilloi një takim me Sekretarin Gjeneral për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Tsipras.
Ministri Krasniqi e njoftoi atë për të arriturat në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2016 dhe prioritetet për këtë vit.
Krasniqi prezantoi edhe programet mbështetëse të ministrisë për këtë vit, duke treguar se përmes granteve dhe subvencioneve e kanë rritur mbështetjen për shumë kultura bujqësore në funksion të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë se mëtejme të agrobizneseve vendore. Përmes kësaj mbështetje, ministri tha se po arrijnë që të krijojnë kushte më të favorshme për prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, gjë që po ndikon në shtimin e cilësisë dhe konkurrencës së këtyre prodhimeve.
Krasniqi theksoi se MBPZHR-ja është e gatshme që të bashkëpunojë me Greqinë në fushën e ekonomisë dhe theksoi se tash pas nënshkrimit të MSA-së duhet të rriten shkëmbimet tregtare e në veçanti të ketë më shumë produkte nga Kosova në tregun grek. Gjithashtu ai theksoi se Kosova ka potencial në bujqësi, dhe ky sektorë mund të jetë një mundësi e mirë për investitorë nga Greqia.
Nga ana e tij, sekretari Tsipras, shprehi gatishmërinë dhe interesimin për të rritur bashkëpunimin me Kosovën, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe në këtë drejtim shprehu gatishmërinë që në të ardhmen mes dy vendeve të ketë nisma konkrete bashkëpunimi edhe në bujqësi.