Kosova dhe Italia thellojnë bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje

Prishtinë | 24 Kor 2018 | 14:12 | Nga

Zëvendësministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama kanë qëndruar për vizitë dyditore në Romë.

Delegacioni i MFSK-së është pritur nga niveli i lartë i Qeverisë italiane dhe Forcat e Armatosura të Italisë.

Në takimin e zëvendësministrit Ramadani dhe komandantit Rama  me zëvendësministrin italian të Mbrojtjes, z. Raffaele Volpi, u diskutua për  objektivat e Kosovës për anëtarësim në NATO, thellimin e bashkëpunimit dypalësh me Italinë,  arritjet e FSK-së, planin gjithëpërfshirës për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe për vullnetin e Kosovës për t’i dërguar trupat e FSK-së në ndihmë të popujve në zona të ndryshme të krizave nëpër botë.

Gjithashtu, dje, më 23 korrik, delegacioni i MFSK-së është pritur nga nënadmirali Giuseppe Dragone, komandant i Shtabit të Përbashkët Italian të Operacioneve.

Delegacioni i FSK-së me nënadmiralin Dragone kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe angazhimet e përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Italisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe për gatishmërinë e Kosovës për të marrë pjesë në Operacione Paqeruajtëse nëpër botë krahas Forcave të Armatosura Italiane.

Delegacioni i MFSK-së ka zhvilluar vizitë edhe në Ministrinë e Jashtme të Italisë me drejtorin për Ballkanin Perëndimor dhe drejtorin për NATO, ku ndër të tjera me zyrtarët e MPJ-së u diskutuan marrëdhëniet e Kosovës me Italinë dhe me NATO-n.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme