Ministri i Financave Avdullah Hoti po qëndron për vizitë zyrtare në Luksemburg, ku është pritur në takim nga Ministri i Financave i Dukatës së Madhe të Luksemburgut Pierre Gramegna.
Me këtë rast, Ministri Avdullah Hoti dhe homologu i tij nga Luksemburgu Pierre Gramegna kanë diskutuar për zhvillimet ekonomike në vend dhe situatën politike dhe ekonomike në rajon dhe më gjërë.
Ministri Avdullah Hoti e falënderoi ministrin Gramenga për gatishmërinë e fillimit të negociatave për Marrëveshjen e eliminimit të tatimit të dyfishtë, hap ky i cili do të mundësojë një bashkëpunim më të mirë tregtar si dhe do të hapë rrugën për mbajtjen e Forumit të Investimeve mes dy vendeve.
Të dy ministrat u dakorduan që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje, ku me këtë rast Ministri Hoti kërkoi ndihmën e shtetit të Luksemburgut për Kosovën në përgatitjen e legjislacionit për tregun e kapitalit.
Gjithashtu Ministri Hoti kërkoi nga homologu i tij përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave si hap i domosdoshëm për implementimin e plotë të MSA-së për të cilën çështje ministri Gramenga u zotua për përkrahje.