Kosova dhe Serbia heshtin për propozimin amerikan për Ujmanin

Prishtinë | 24 Qer 2021 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë ende nuk kanë qëndrim për studimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për liqenin e Ujmanit dhe përdorimin e ujit të lumit Ibër.

Kjo nuk i ka ndaluar ekspertët nga Kosova dhe Serbia, të komentojnë lidhur me propozimin në fjalë.

Ky studim po konsiderohet i pranueshëm dhe i realizueshëm nga profesori i menaxhimit strategjik, Halim Gjergjizi.

E rëndësishme sipas tij, është që studimi nuk i referohet pronës së liqenit, por vetëm prodhimit dhe menaxhimit të ujërave dhe energjisë.

Ndërsa ndryshe mendon Avdi Gjonbalaj, ekspert i ujërave, që në atë kohë kishte mbikëqyrur punimet për ndërtimin e liqenit të Ujmanit. Sipas tij, është i papranueshëm propozimi që parasheh që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë, për lumin Kolumbia.

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar të mërkurën, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ky studim shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

Profesori Halim Gjergjizi, i cili ka qenë pjesë e projektit në vitet e 70-ta, thotë se rekomandimet e SHBA-se janë të duhura dhe në interes të Kosovës.

“Raporti ka të bëjë më çështjen e menaxhimit të objekteve dhe ujit në përgjithësi. Si rekomandim është në rregull, korrekt dhe besoj se është në interes të Kosovës një trajtim i duhur në aspektin e menaxhimit dhe shfrytëzimit të ujërave në mënyrë optimale, ashtu siç është ndërtuar edhe vetë objekti. Sa i përket çështjes së pronave, kjo është e zgjidhur para ndërtimit dhe nuk ka vend për diskutim. Banka Botërore nuk do të investonte pa u zgjidhur çështja e pronave”, ka thënë Gjergjizi.

Liqeni i Ujmanit, ka sipërfaqe prej 11,9 kilometrash katrorë, (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë. Ky liqen është më i madhi në Kosovë dhe shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje kjo e ratifikuar atëherë nga Kuvendi i Krahinor i Kosovës dhe Kuvendi Federativ i Jugosllavisë.

Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë në pronësi.

Gjonbalaj: Fillimisht njohja pastaj të flasim për Ujmanin

Avdi Gjonbalaj, thotë se studimi i fundit nga ekspertë amerikanë është i papranueshëm. Sipas tij, nuk është e nevojshme që për Liqenin e Ujmanit, të merret për bazë lumi Kolumbia. Ai tha se çështja e Ujmanit, mund të zgjidhet vetëm pasi të dy shtetet do ta njohin njëri tjetrin.

“Për këtë duhet të formohen komisione në lëmin e ujërave, kur dy shtete pranojnë njëri tjetrin, bëhet marrëveshje bilaterale, duke u thirrur në marrëveshjen e Helsinkut. Kjo konventë tregon se si duhet menaxhuar resurset ujore”, tha ai.

Edhe Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, tha se studimi i fizibilitetit është një hap në drejtim të duhur, por sipas tij, këto propozime nuk do të zgjidhin ndasitë midis Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se “modeli i traktatit të lumit Kolumbia” për shfrytëzimin e burimeve ujore, nuk do të gjejë zbatim, sikurse nuk kanë gjetur zbatim as marrëveshja e Brukselit.

“Pala kosovare pretendon se gjithçka që është në territorin e Kosovës – përfshirë liqenin – u takon atyre, dhe Serbia në kushte të caktuara mund ta fitojë të drejtën ta shfrytëzojë atë. Nga ana tjetër, Serbia pretendon se i përket asaj. Këto janë pozicionet aktuale dhe ky studim nuk e zgjidh atë problem”, tha Janjiq.

Ai tha se studimi i SHBA-së në mënyrë ekskluzive i referohet shfrytëzimit të burimeve, siç janë prodhimi i ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike dhe se është i përqendruar në ngritjen e kapacitetit dhe efikasitetit të impiantit aktual.

Liqeni i Ujmanit, menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës. Zyrtarë të kësaj ndërmarrjeje por edhe qeveria e Kosovës, nuk ka dhënë ndonjë përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, sa i përket këtij studimi të fizibilitetit.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Marrëveshja është nënshkruar mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Hoti: Të respektohet marrëveshja e Uashingtonit

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, lidhur më këtë çështje ka shkruar në rrjetin social, Facebook, se qeveria duhet të kujdeset për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit.

“Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Kanali Ibër – Lepenc, kalon nëpër territorin e pesë komunave – Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq dhe Prishtinë.

Viteve të fundit, zyrtarë nga Beogradi kanë insistuar ta përvetësojnë këtë liqen, çka është kundërshtuar fuqishëm nga autoritetet zyrtare në Kosovë.

Madje, më 8 shtator 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte vizituar Liqenin e Ujmanit, ose siç e quajnë serbët të Gazivodës, ku kishte thënë se “Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët“.

Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Liqeni i Ujmanit, nga Serbia dhe presidenti Vuçiq ishte cilësuar si burim dhe pasuri ekonomike serbe, por një gjë e tillë kundërshtohet ashpër nga autoritetet në Prishtinë.

Të ngjashme